'Ujësjellësi 14 mln euro s'funksionon'/ Kandidati për bashkinë e Matit, Brahilika: Fondet janë shpërdoruar

Në një intervistë për emisionin “Kafe Shketo” në Syri TV, kandidati për kryetar të Bashkisë Mat, avokati Eduard Brahilika, ka paraqitur një panoramë të zymtë të situatës në Mat, duke akuzuar qeverisjen aktuale për korrupsion, keqmenaxhim dhe abandonim të qytetarëve. Ai u shpreh se fushata e tij intensive, derë më derë, i ka zbuluar një realitet krejt ndryshe nga propaganda zyrtare, me një infrastrukturë të rrënuar dhe mungesë të shërbimeve bazë.

Brailika denoncoi me emra tre projekte madhore që sipas tij janë shembuj të korrupsionit klientelist. Ai përmendi ujësjellësin Mrizaj-Gjoçaj, një investim prej 14 milionë eurosh, i cili sipas tij nuk ka sjellë asnjë impakt dhe nuk furnizon me ujë njësitë administrative për të cilat ishte projektuar.

Më tej, ai e cilësoi landfill-in e mbetjeve, një projekt prej 12 milionë eurosh, si një “vepër tërësisht korruptive” dhe një “bombë ekologjike” të abandonuar, pavarësisht se u inaugurua nga anëtarë të qeverisë.

Projekti i tretë i kritikuar ishte rikonstruksioni i sheshit të qytetit të Burrelit, i cili sipas tij ka shkaktuar një kolaps total të trafikut dhe funksionimit të qytetit, pa u konsultuar me publikun. Një pikë tjetër e fortë e diskutimit ishte paketa fiskale e bashkisë, të cilën Brailika e quajti “korruptive”.

Ai solli shembullin e taksës së pastrimit, ku bashkia arkëton 550 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që shpenzimet reale për këtë shërbim janë vetëm 220 milionë lekë. “Të taksosh qytetarin më shumë se sa i shërben bie ndesh me çdo normë dhe ligj,” tha ai, duke shtuar se qytetarët paguajnë taksa për rrugë, ujë, gjelbërim dhe shërbime të tjera që nuk i marrin.

Përballë sfidës së zgjedhjeve të 14 majit, avokati Brailika u shpreh i bindur se do të mbrojë votën e çdo qytetari. 

Pjesë nga deklarata:

"Mendoj që për shkak edhe të periudhës së shkurtër kohore zgjedhore, jam munduar të shkel gjithë territorin e Bashkisë Mat, megjithëse është një territor me infrastrukturë që lë shumë për të dëshiruar për shkak të keqqeverisjes në këto 13 vitet e fundit. Ka qenë një fushatë intensive, jam munduar të trokas derë më derë tek matjanët.

Është një realitet i dhimbshëm, kemi akoma fshatra e lagje pa rrugë. Lekë ka patur në Mat mbi 50 milionë euro nga viti 2019 e këndej, por janë fonde të lidhura për interesa personale, jo në përputhje me planin e zhvillimit strategjik.

Ujësjellësi Mrizaj–Gjoçaj, 14 milionë euro, nuk ka sjellë asnjë impakt. Është një tender korruptiv subjekt i SPAK.

Projekti për ujërat e zeza, 12 milionë euro, i kompanisë 5D, është korruptiv dhe pa afat përfundimi. Sheshi i qytetit të Burrelit është kthyer në kolaps. Landfilli i mbetjeve, i inauguruar nga Balluku, është një vepër korruptive e abandonuar. Mbetjet hidhen në sipërfaqe, burim infeksioni për Burrelin dhe Komsinë.

Mati nuk zhvillohet duke prishur pllaka në qendër të qytetit. Tre prioritetet janë turizmi, infrastruktura, bujqësia e blegtoria. Të gjitha prokurimet janë për interesa klienteliste.

Marrëdhënia ime me biznesin dhe qytetarin do të jetë transparente. Paketat fiskale janë korruptive dhe ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e taksapaguesve. Taksa e pastrimit është 220 milionë lekë, por mblidhen 550 milionë – qytetari taksohet më shumë sesa i shërbehet.

Kemi taksa për rrugë, për ujë, për gjelbërim, por rrugë s’ka, ujë s’ka, gjelbërim s’ka. Fon­det nuk kanë transparencë, publiku është anashkaluar. Qeverisja në Mat ka prekur fundin.

Kam marrë të gjitha masat për garancinë e votës së lirë. Nëse do të tentojnë ta prekin votën, do të përballen me mua dhe me popullin e Matit. Vota për Eduard Brailikën nuk do të preket.

E di që përballem me shtetin dhe me Agron Malajn, por unë do të jem vetvetja. Shqipëria është në rrezik, po i preket fjala e lirë, dhe unë kërkoj votën matjane për të qeverisur Bashkinë Mat".