'Më jep 60 mijë lekë, të të zhbllokoj mjetin'/ Akuza për korrupsion, arrestohet polici në Durrës
Një punonjës i policisë, G. H., i shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, është arrestuar në flagrancë, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike."
Arrestimi ka ardhur pas hetimeve të realizuara, ku u provua se punonjësi i policisë ka kërkuar dhe marrë një shumë prej 60,000 lekë nga shtetasi E.S., duke i premtuar se do ta ndihmonte të nxirrte mjetin nga pika e bllokimit dhe të shmangte vendosjen e masës administrative.
Hetimet vijojnë për të zbuluar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë aktivitet kriminal.
Njoftimi:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë G. H., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal.
Arrestimi në flagrancë u realizua pas veprimeve me metoda speciale të hetimit, ku u arrit të provohej se punonjësi i policisë duke shfrytëzuar funksionin organik në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit E.S., një shumë prej 60 000 lekë të reja (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale), duke i premtuar në këmbim që do ti nxirrte mjetin nga pika e bllokimit, si dhe mosvendosjen e masës administrative.
Vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me SPAK për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.