NBA/ Vjen humbja e parë për Thunder, Doncic realizon 35 pikë në fitoren e Lakers
Mbrëmja e NBA solli surpriza të mëdha dhe duele spektakolare. Kampionët e Oklahoma City Thunder u rrëzuan për herë të parë këtë sezon në një sfidë dramatike ndaj Portland Trail Blazers, ndërsa Donovan Mitchell ndezi Clevelandin me një tjetër paraqitje madhështore. Detroit vazhdoi formën e shkëlqyer, Brooklyn mori fitoren e parë pas shumë zhgënjimeve, dhe Boston reagoi me stil. Knicks ruajtën rekordin perfekt në shtëpi, Houston zgjati ecurinë fituese, ndërsa Denver u mbështet sërish te magjia e Jokic. Në Los Angeles, Lakers fituan një duel të fortë ndaj Spurs, ndërsa Sacramento mposhti Golden State në derbin kalifornian.
Portland Trail Blazers – Oklahoma City Thunder 121–119
Kampionët u rrëzuan. Oklahoma City (8-1) pësoi humbjen e parë të sezonit, duke u dorëzuar në Portland (5-3) pas një ndeshjeje dramatike. Thunder kishin avantazh deri në 22 pikë në fillim, por Blazers përmbysën gjithçka dhe konfirmuan reputacionin si “vrasësit e të mëdhenjve”: pas Golden State dhe Denver-it, edhe Oklahoma bie në ‘Moda Center’. Shai Gilgeous-Alexander dhe Aaron Wiggins ndërtuan epërsinë fillestare, por Deni Avdija dhe Jrue Holiday udhëhoqën rikthimin spektakolar. Në sekondat e fundit, me Blazers në +3, Joe fitoi gjuajtje të lira në sirenë, por pas rishikimit gjyqtarët i dhanë vetëm dy, të pamjaftueshme për barazimin.
Cleveland Cavaliers – Philadelphia 76ers 132–121
Forma e mirë e Donovan Mitchell vazhdon. Pas 37 pikëve në Atlanta, ai realizoi 46 pikë ndaj Philadelphia-s (5-3), duke i dhënë Clevelandit (5-3) fitoren e dytë radhazi. Darius Garland u rikthye pas dëmtimit, ndërsa Allen dhe Mobley dominuan nën tabelë (në mungesë të Embiid). 76ers arritën barazimin në fillim të periodës së tretë, por një seri prej 13-0 riktheu avantazhin e Cavaliers, që nuk e humbën më kontrollin. Maxey dhe Grimes shënuan nga 27 pikë, por nuk mjaftuan.
Detroit Pistons – Utah Jazz 114–103
Detroit (6-2) fitoi ndeshjen e katërt radhazi, duke u ngjitur në vendin e dytë në Lindje. Cade Cunningham shkëlqeu me 31 pikë, prej të cilave 19 në periodën e fundit, duke frenuar rikthimin e Utah (3-5). Pistons bënë diferencën në periodën e tretë (25-14), duke shfrytëzuar gabimet e Jazz dhe dominimin në zonë (60-36 pikë nën kosh). Jalen Duren kapi plot 22 topa në tabelë. Utah konfirmoi se Kessler do t’i nënshtrohet një operacioni në shpatull dhe sezoni i tij ka përfunduar.
Indiana Pacers – Brooklyn Nets 103–112
Brooklyn (1-7) më në fund e gjeti fitoren e parë të sezonit, duke triumfuar në fushën e Pacers (1-7). Edhe pse Cam Thomas u dëmtua pas vetëm pesë minutash, Michael Porter Jr. udhëhoqi skuadrën me një ‘double-double’, i ndihmuar nga Claxton dhe Clowney. Indiana u mbështet vetëm te Siakam, por nuk mjaftoi. Të dyja skuadrat ndajnë vendin e fundit në Lindje me Washingtonin.
Boston Celtics – Washington Wizards 136–107
Pas dy humbjeve në shtëpi, Boston (4-5) reagoi me stil kundër Washingtonit (1-7). Jaylen Brown ishte protagonisti absolut me 35 pikë (16 në periodën e parë). Pas një nisjeje të dobët, skuadra e Mazzulla-s dominoi pjesën tjetër të ndeshjes me 55% gjuajtje nga fusha dhe vetëm 5 topa të humbur kundrejt 19 të Wizards. Në fund, Brown pushoi, ndërsa Josh Minott arriti rekordin personal me 21 pikë.
New York Knicks – Minnesota Timberwolves 137–114
Në ‘Madison Square Garden’, Knicks (5-0 në shtëpi) fituan bindshëm ndaj Minnesota-s (4-4), duke prishur rikthimin e Anthony Edwards pas dëmtimit. OG Anunoby dhe Jalen Brunson udhëhoqën skuadrën vendase, që u shkëput me një seri 21-9 në fund të periodës së tretë. Edwards pati një paraqitje të zbehtë (15 pikë). New York realizoi 83 pikë në pjesën e dytë dhe dominoi me 21 topa ofensivë.
Memphis Grizzlies – Houston Rockets 109–124
Houston (5-2) vazhdoi formën e shkëlqyer me fitoren e pestë radhazi, duke mposhtur Memphis (3-6). Edhe pse Kevin Durant nuk pati një mbrëmje të mirë, Amen Thompson dhe Alperen Sengun shkëlqyen me ‘double-double’ secili. Rockets ndërtuan avantazhin që në periodën e parë dhe e administruan deri në fund. Ja Morant sërish në vështirësi me gjuajtjet (6/19), ndërsa Grizzlies regjistruan humbjen e katërt radhazi.
Denver Nuggets – Miami Heat 122–112
Një tjetër mbrëmje “zyrtare” për Nikola Jokic, që regjistroi ‘triple-double’-in e pestë të sezonit, duke i dhënë Denverit (5-2) fitoren ndaj Miami-t (4-4). “Joker”-i e kompletoi statistiken me 18 minuta të mbetura në lojë. Heat nuk arrijnë të thyejnë mallkimin e Kolorados: fitorja e fundit në “Ball Arena” në sezon të rregullt ishte në 2016, kur Jokic ishte ende debutues.
Los Angeles Lakers – San Antonio Spurs 118–116
Një duel ‘yjesh’ në Hollywood që u kthye në betejë fizike. Lakers (7-2) fituan falë një periodë të katërt të fuqishme, duke shënuar fitoren e pestë radhazi. San Antonio (5-2) u ndal nga mbrojtja e fortë ndaj Wembanyama-s (vetëm 5/14 në gjuajtje, 5 topa të humbur, dhe dalje për faulla në minutën e fundit e 40 sekonda). Luka Donçiç shkëlqeu me 35 pikë dhe për mungesën e vetëm një ‘rebound’ nuk shënoi ‘triple-double’. Në fund, Marcus Smart rrezikoi ta humbiste ndeshjen me një gabim në rivënie, por Champagnie humbi një nga dy gjuajtjet e lira, duke i lënë Lakers të festojnë.
Sacramento Kings – Golden State Warriors 121–116
Në derbin kalifornian, Russell Westbrook rigjeti shkëlqimin e dikurshëm me një ‘triple-double’, tri vite pas të fundit, dhe udhëhoqi Sacramento-n (3-5) drejt fitores ndaj Golden State (5-4). Kings dominuan në periodën e tretë (35-23) dhe shfrytëzuan më mirë rastet në fund. Warriors ishin pa Curry, Butler dhe Draymond Green, por ‘rookie’ Will Richard spikati me 30 pikë. Al Horford, në anën tjetër, zhgënjeu me 0 pikë (0/7 nga trepikëshi).