‘Po ndryshojmë kurs’/ Rutte: Moska prodhonte më shumë municione sesa ne, por jo më!

Shefi i NATO-s Mark Rutte ka paralajmëruar se aleanca tanimë ka nisur të ndryshojë kursin, lidhur me prodhimin e armëve dhe municioneve.

Deklaratën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte e bëri në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes në Bukuresht, ku ndër të tjera tha se Moska prodhonte më shumë municione sesa aleanca, po tashmë gjërat kanë ndryshuar.

"Po e ndryshojmë rrjedhën e ngjarjeve kur bëhet fjalë për municionet. Deri vonë, Rusia prodhonte më shumë municione sesa të gjithë aleatët e saj të NATO-s së bashku. Por jo më. Në të gjithë Aleancën, po hapim dhjetëra linja të reja prodhimi dhe po zgjerojmë ato ekzistuese: po prodhojmë më shumë sesa kemi prodhuar në dekadat e fundit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

“Ne duhet t’i shfrytëzojmë këto përparime në fusha të tjera, nga mbrojtja ajrore e nivelit të lartë deri te interceptorët e dronëve me kosto të ulët. Sasia është çelësi.”

“Kohërat e vështira kërkojnë veprime të guximshme”, shtoi Rutte. “Dhe kjo kërkon një shkallë të caktuar tolerance ndaj rrezikut nga të gjithë ne. Ndërsa udhëheqësit marrin rrezik politik, industrisë po i kërkohet të marrë disa rreziqe biznesi.”

“E di që, duke menduar për aksionarët tuaj, kjo mund t'ju bëjë nervozë”, vazhdoi ai. “Ju po prisni që qeveritë të nënshkruajnë kontrata afatgjata. Dhe keni të drejtë, ndonjëherë qeveritë duhet ta bëjnë këtë. Por mund t'ju them se, kur bëhet fjalë për të investuar më shumë në mbrojtjen tonë, vullneti politik është aty. Paratë janë aty. Kërkesa është aty. Siguria jonë varet prej saj.”

“Pra, ndoshta mund të bëjmë një marrëveshje. Nga ana ime, unë do të vazhdoj të bëj gjithçka që mundem për t'i nxitur qeveritë të kalojnë nga fjalët në veprime. Dhe të nënshkruajnë kontrata.”

Rutte premtoi se si NATO do të bëhet gjithçka, për të përshpejtuar prokurimin dhe për të vazhduar mbështetjen e inovacionit, ndërsa kërkoi gatishmëri nga industritë e mbrojtjes.

‘Rritni furnizimin. Zgjeroni linjat ekzistuese të prodhimit dhe hapni të reja. Mos lejoni që frika e mbikapacitetit në të ardhmen t'ju pengojë të përmbushni nevojat reale me të cilat përballemi sot. Jam plotësisht i bindur se ajo që prodhoni do të blihet’, u shpreh Rutte./ ANSA.