Champions League, Haaland rishkruan librin e rekordeve: shifrat e tij janë të paarritshme

Erling Haaland vazhdon të sfidojë çdo limit në historinë e futbollit. Me golin e realizuar në pjesën e parë ndaj Borussia Dortmund-it, sulmuesi norvegjez i Manchester City-t ka arritur në 54 gola në 52 ndeshje të UEFA Champions League, duke rishkruar librin e rekordeve të kompeticionit më të madh europian. Në moshën vetëm 25-vjeçare, ai tashmë është pjesë e dhjetëshes më të mirë të golashënuesve të të gjitha kohërave.

I lindur në Leeds, Haaland shpërtheu në skenën e madhe me Salzburgun në vitin 2019, kur u bë lojtari i parë dhe i vetëm që ka shënuar një “hat-trick” në pjesën e parë të debutimit në Champions, në fitoren 6–2 ndaj Genk. Ai shënoi në pesë ndeshjet e para të tij në këtë kompeticion, duke arritur tetë gola gjithsej dhe u bë i katërti në histori që e arrin këtë pas Del Piero, Diego Costa dhe Sébastien Haller.

Pas fazës së grupeve, Haaland u bashkua me Dortmundin dhe që në ndeshjen e parë me verdhezinjtë shënoi dy herë, duke arritur 10 gola në vetëm shtatë ndeshje, një rekord në atë kohë.

Me kalimin te Manchester City në verën e vitit 2022, Haaland vazhdoi marshimin e tij të pabesueshëm, duke vendosur rekorde në çdo prag golash: 15 gola në 12 ndeshje, 20 gola në 14, 25 gola në 20, 30 gola në 25, 35 gola në 27. Në moshën 22 vjeç e 272 ditë, ai u bë lojtari më i ri që arrin 35 gola në Champions.

Në sezonin 2023/24, me golin ndaj Leipzigut, ai u bë më i shpejti (35 ndeshje) dhe më i riu (23 vjeç e 131 ditë) që arrin 40 gola në kompeticion. Ndërsa goli kundër Napolit në hapje të edicionit 2025/26 e çoi në 50 gola në vetëm 49 ndeshje, një tjetër rekord absolut.

Haaland ka luajtur kundër 25 skuadrave në Champions dhe ka shënuar kundër 19 prej tyre, ndërsa vetëm Ajax, Manchester City (kur luante për Dortmundin), Interi, Crvena Zvezda, Sportingu dhe Juventusi kanë arritur ta ndalin. Ai ka shënuar dy “hat-trick” dhe nëntë dygolësha, dhe është i vetmi lojtar që ka shënuar më shumë se një gol në debutim me tri klube të ndryshme.

Në mars të vitit 2023, kundër Leipzigut, Haaland u bë lojtari i tretë në histori që ka realizuar pesë gola në një ndeshje të Champions League.

Erling Haaland, me ritmin dhe efikasitetin e tij, duket i destinuar të rishkruajë çdo faqe të historisë së Champions League.

Rekordet kryesore të Haaland-it në Champions League:

  • Më i riu që arrin 15 gola – 20 vjeç e 126 ditë
  • Më i shpejti që arrin 15 gola – 12 ndeshje
  • Më i riu që arrin 20 gola – 20 vjeç e 231 ditë
  • Më i shpejti që arrin 20 gola – 14 ndeshje
  • Më i riu që arrin 25 gola – 22 vjeç e 47 ditë
  • Më i shpejti që arrin 25 gola – 20 ndeshje
  • Më i riu që arrin 30 gola – 22 vjeç e 236 ditë
  • Më i shpejti që arrin 30 gola – 25 ndeshje
  • Më i riu që arrin 35 gola – 22 vjeç e 272 ditë
  • Më i shpejti që arrin 35 gola – 27 ndeshje
  • Më i riu që arrin 40 gola – 23 vjeç e 130 ditë
  • Më i shpejti që arrin 40 gola – 35 ndeshje
  • Më i riu që arrin 45 gola – 24 vjeç e 128 ditë
  • Më i shpejti që arrin 45 gola – 44 ndeshje
  • Më i shpejti që arrin 50 gola – 49 ndeshje
  • I vetmi lojtar që ka shënuar një “hat-trick” në debutim
  • I vetmi që ka shënuar në katër ndeshje radhazi më shumë se një herë
  • I vetmi që ka shënuar më shumë se një gol në debutim me tri klube