Armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike në lokal, dy të arrestuar në Kuçovë

Në Kuçovë janë arrestuar dy persona, pasi gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia janë gjetur armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike e dyshuar si kanabis. Të ndaluarit janë K. K., 41 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Dimal, dhe K. Z., 27 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë.

Sipas policisë, 41-vjeçari kishte përshtatur lokalin e tij për shpërndarjen dhe përdorimin e lëndëve narkotike, ndërsa 27-vjeçari, i cili ndodhej në “arrest shtëpie” për vepra të mëparshme penale, u kap me lëndë narkotike në banesë.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan një armë zjarri automatike, 30 fishekë luftarak, një peshore elektronike dhe sasi lënde narkotike kanabis. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Kuçovë/Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike kanabis.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kompleks”.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Berat.

Kishte përshtatur lokalin për shpërndarjen dhe përdorimin e lëndëve narkotike, si dhe mbante armë zjarri automatik; vihet në pranga 41-vjeçari.

Ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, si dhe mbante lëndë narkotike në banesë; vihet në pranga 27-vjeçari.

Në vijim të kontrolleve të ushtruara për identifikimin e autorit/ve të vendosjes së lëndës plasëse në një biznes ditën e djeshme, si dhe për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, pas informacioneve të marra në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Kompleks”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

K. K., 41 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Dimal;

K. Z., 27 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e lokalit që 41-vjeçari kishte në posedim, ku gjetën dhe sekuestruan:

1 armë zjarri automatik, një sasi lënde narkotike kanabis, 1 peshore elektronike, 30 fishekë luftarak.

Në vijim, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit K. Z., i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, ku u gjet dhe u sekuestrua një sasi tjetër lënde narkotike kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.