Abuzimet me Tunelin e Llogarasë, PLUG zbardh skandalin me tenderin 7.4 milionë euro të projektimit
Tenderi 190 milionë euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë u fitua nga konsorciumi turk INTEKAR – ASL, pas një zinxhiri veprimesh dhe abuzimesh, tek të cilat do të ndalemi në vijim. Por duket se abuzimet kanë nisur që në projektimin e kësaj vepre infrastrukturore. Projekti që do t’i hapte rrugë edhe tenderit ka kushtuar 7.4 milionë euro, por që në start, edhe mbi tenderin e përzgjedhjes së studios projektuese, hidhen hije të forta dyshimi.
Në Buletinin Nr. 37, datë 22 qershor 2020, nga Ministria e Infrastrukturës shpallet procedura tenderuese për Rishikimin e studimit të fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë”.
Vlera e kontratës, sipas këtij njoftimi, do të ishte 624,718,535 lekë pa TVSH.
Në këtë procedurë morën pjesë disa bashkime operatorësh:
Bashkimi i operatorëve ekonomikë IRD Engineering n.s.r.l., ELB sh.p.k., Instituti Dekliada, ALB sh.p.k. dhe CEC Group
Bashkimi i operatorëve ekonomikë Net Group sh.p.k., SWS Engineering S.p.A.
Bashkimi i operatorëve ekonomikë Temels, Gjeoconsult & CO
Bashkimi i operatorëve ekonomikë OEGK, Elea IC d.o.o., Infrakonsult, IBE d.d.
Filipetti S.p.A.
Bashkimi i operatorëve ekonomikë SEED Consulting sh.p.k., InfraKonsult sh.p.k., iC Consulenten Ziviltechniker GESmbH, ELEA iC d.o.o. dhe IBE d.d. svetovanje, projektiranje in inženiring
OTM SA Consulting Engineering Companies
Shoqëria Instituti i Konsulencës në Ndërtim (IKN) sh.p.k., me NIPT K71828007J
Shihet qartë se kompanitë Elea IC d.o.o., Infrakonsult dhe IBE d.d. kanë marrë pjesë në dy bashkime operatorësh, në kundërshtim me ligjin.
Sipas të dhënave në njoftimin për shpalljen e fituesit, kompania Filipetti dhe IKN nuk kanë paraqitur asnjë dokumentacion.
IRD Engineering n.s.r.l., ELB sh.p.k., Instituti Dekliada, ALB sh.p.k. dhe CEC Group janë skualifikuar për mosplotësim të kritereve.
Bashkë me to, për të njëjtat arsye, skualifikohen edhe dy garues të tjerë: OTM SA Consulting Engineering Companies, si dhe bashkimi i operatorëve ekonomikë Temels, Gjeoconsult & CO. Me kaq mbyllen sqarimet e ministrisë, duke shpallur si vijues të procedurës vetëm:
Bashkimin e operatorëve ekonomikë SEED Consulting sh.p.k., InfraKonsult sh.p.k., iC Consulenten Ziviltechniker GESmbH, ELEA iC d.o.o. dhe IBE d.d. me ofertën me vlerë 618,300,000 (gjashtëqind e tetëmbëdhjetë milionë e treqind mijë) lekë pa TVSH;
Si dhe bashkimin e operatorëve ekonomikë BOE SWS Engineering S.p.A., LLAZO sh.p.k. dhe NET-GROUP sh.p.k. me vlerë 540,000,000 (pesëqind e dyzet milionë) lekë pa TVSH.
Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve me vlerën më të lartë të ofertuar, dhe jo nga kompania e Evis Berberit, asokohe në krye të ARRSH, NET GROUP.
Ndërkohë, dy janë detajet që ngrejnë dyshime për këtë procedurë tenderuese:
Në njoftim nuk jepet asnjë e dhënë se përse u skualifikua oferta tjetër, ajo e bashkimit të operatorëve ekonomikë OEGK, Elea IC d.o.o., Infrakonsult, IBE d.d. Tre nga këta operatorë janë edhe pjesë e bashkimit të operatorit të shpallur fitues.
Ndërkaq, në bashkimin e operatorëve të drejtuar nga NET GROUP, shfaqet emri i kompanisë LLAZO sh.p.k., i cili nuk përmendej fillimisht si pjesëmarrës. LLAZO sh.p.k. është kompania e shpallur fituese si nënkontraktore e kompanisë turke YDA për ndërtimin e Spitalit Memorial Fier. Rikujtojmë se YDA është kompania turke që u përdor fillimisht edhe për plotësimin e kritereve të koncesionit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Si përfundim, projekti i është dorëzuar Ministrisë së Infrastrukturës më 20 mars 2021.
Vlera totale e përfituar nga iC Consulenten, sipas të dhënave të Open Data, është 741,960,000 lekë ose rreth 7.4 milionë euro.
Siç e pamë edhe më sipër, nga një procedurë që duhet të ishte transparente dhe me rigorozitet maksimal, pasi do të hartohej projekti i një vepre me kosto 190 milionë euro, u kryen procedura tenderuese me shkelje të rënda ligjore, me kompani që ishin në garë me disa oferta të ndryshme, apo kompani të tjera që shtoheshin sipas interesit të plotësimit të kritereve.