'55% e shqiptarëve s’e mbyllin dot muajin'/ Azo: Familjet shqiptare përballen me shpenzime që tejkalojnë të ardhurat

Sipas gazetares Dorina Azo, realiteti ekonomik i shumicës së familjeve shqiptare nuk përputhet me statistikat zyrtare. Në ‘Kush Paguan’ me moderatore Klaudia Karabolli dhe Flavia Shahini në SYRI TV, Azo u shpreh se më shumë se gjysma e qytetarëve ndihen të paaftë për të përballuar shpenzimet mujore, për shkak të çmimeve në rritje, të ardhurave që nuk ndjekin ritmin e tyre dhe pasigurisë ekonomike. Problemet përfshijnë jo vetëm ushqimet dhe shërbimet bazë, por edhe qiratë e larta dhe shpenzimet e papritura, duke treguar se paga mesatare nuk mjafton për një standard minimal jetese.

Dorina Azo: Atëherë, në mendimin tim ky është një sinjal shumë i fortë që realiteti ekonomik i familjeve shqiptare në një farë mënyre nuk përputhet me të dhënat apo statistikat zyrtare. Kur më shumë se gjysma e qytetarëve shqiptarë kanë perceptimin apo ndjehen në vështirësi për mospërballimin e shpenzimeve mujore, atëherë tashmë kemi të bëjmë me një realitet të tillë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një perceptim, pra një realitet që po ndodh në çdo familje. Dhe kjo situatë, unë mendoj që ka ardhur e ndërthurur nga shumë faktorë. Faktori kryesor është çmimet e rritura dhe nga ana tjetër janë rritja e të ardhurave të cilat nuk ecin në të njëjtin ritëm me rritjen e çmimeve. Është dhe pasiguria ekonomike që krijohet që e bëjnë jetën e përditshme akoma më të vështirë për familjet shqiptare. Pra, për të krijuar këtë realitet janë disa faktorë që ndërveprojnë mes tyre, që kryesorja mbetet rritja e çmimeve. Këtu flas për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, të shportës ushqimore, të shërbimeve bazë për familjet shqiptare, ku duke përfshirë këtu një problematikë më e madhe është dhe çmimet e qirasë. Qiratë janë shumë të larta, apo shpenzimet e papritura që mund të ketë një familje, qoftë për shkollimin e fëmijëve, shpenzimet e mjekut, faturat e tjera. Pra kjo tregon që paga mesatare në Shqipëri nuk mjafton për të mbuluar një standard minimal për jetesën.