Logu: 50 milionë eurot e tunelit të Llogarasë kanë përfunduar në xhepat e Ramës dhe Ballukut
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, ka deklaruar në një intervistë në SYRI TV se dosja e tunelit të Llogarasë përbën një nga aferat më të mëdha korruptive të viteve të fundit, ku sipas tij janë abuzuar 50 milionë euro nga fondet publike.
Logu u shpreh se shkelja e barazisë në tender është tregues i qartë i korrupsionit të organizuar në nivelet më të larta të qeverisë, duke theksuar se pas kësaj skeme fshihen interesa pasurorë të kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku.
Ai sqaroi se njoftimi i akuzës ndaj Ballukut dhe vartësve të saj është bërë për të shmangur rrezikun që ata të mbeten pa përgjegjësi penale, ndërsa tani prokuroria duhet të zbulojë ku kanë përfunduar paratë dhe kush i ka përfituar.
Sipas Logut, kjo aferë ka nisur që në qershor të vitit 2021, gjatë një takimi në Ankara ku kanë qenë të pranishëm si Balluku, ashtu edhe Rama, dhe ku dyshohet se janë vendosur bazat e marrëveshjes korruptive për tenderin e tunelit të Llogarasë.
Marash Logu: Në mënyrë që mos të rrezikonim që Belinda Balluku dhe varësit e saj të ngeleshin pa përgjegjësi penale për këtë vepër penale, është bërë njoftimi i akuzës në këtë fazë. Por ajo që ka rëndësi në këtë dosje është sigurisht për të kuptuar se ku kanë përfunduar, pra në xhepat e kujt kanë përfunduar 50 milionë euro që është abuzimi në këtë histori.
Duhet të kuptuar një gjë që në çdo rast, në fakt, kur ka shkelje të barazisë në tendera, arsyeja që fshihet nga pas është korrupsioni. Pra, askush nuk ngrihet një mëngjes dhe vendos të shkelë ligjin për të favorizuar një kompani x apo një kompani y, në qoftë se si rezultat i kësaj shkelje nuk ka vetë apo persona të tjerë që mund të jenë eprorë të saj apo eprorë të tij, përfitime të drejtpërdrejta personale pasurore. Pra sigurisht që kjo vepër penale nuk mund të qëndrojë kurrsesi e vetme, e pashoqëruar dhe me veprën tjetër penale, e cila në fakt ka qenë pjesë e kallëzimit që grupi parlamentar i Partisë Demokratike zoti Bardhi ka dorëzuar në SPAK. Krahas shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera, sigurisht që ishte edhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë. Sepse është shumë e qartë besoj unë për këdo, që pas kësaj historie fshihen interesa pasurorë korruptivë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Shkelja e barazisë në tendera, në gjithë historikun e gjitha hetimeve penale të kryera deri më tani, ka dëshmuar gjithmonë në fakt që nga pas ka qenë një interes korruptiv. Pra nuk mund të qëndrojë kurrsesi si vepër penale më vete. Kështu që në këtë kuptim, detyra kryesore që i lind prokurorit të çështjes në këtë rast, është që të zbulojë se ku kanë përfunduar efektivisht 50 milionë eurot e korrupsionit në këtë histori. Në xhepat e kujt kanë përfunduar, cilat kanë qenë rrugët që janë ndjekur, mënyrat, skemat, transaksionet e kështu me radhë, dhe të jenë ata personat në fund të ditës që merren përgjegjës pikërisht për konsumimin e një prej aferave më korruptive në fakt që ka ndodhur në Shqipëri.
Në qoftë se ju kujtohet, domethënë e gjithë kjo histori në fakt, sidomos historia e lidhjes me kompaninë turke fillon nga një takim që është realizuar në qershor të vitit 2021 në Ankara, në Turqi. Dhe në atë takim, krahas Belinda Ballukut, i pranishëm ka qenë edhe Edi Rama. Unë nuk besoj që një moment të caktuar është marrë Belinda Balluku veçmas dhe ka konsumuar këtë bisedë për një aferë korruptive që do kryejë në Shqipëri me tunelin e Llogarasë.