Katër shqiptarë arrestohen për të paktën 13 vjedhje banesash në Itali

Katër shqiptarë janë vënë nën akuzë për të paktën 13 vjedhje banesash, 9 të kryera dhe 4 të mbetura në tentativë, të ndodhura midis viteve 2023 dhe 2024 në provincat Pordenone, Udine, Venecia, Bergamo dhe Cremona. Për ta, Gjykata e Pordenones ka urdhëruar arrest me burg.

Dy prej tyre, një 24-vjeçar dhe një 31-vjeçar, ndodheshin tashmë përpara në burgun e Lodi dhe në arrest shtëpie për vjedhje të tjera banesash. Ndërsa dy të tjerë janë ende të pakapshëm dhe kërkohen nga karabinierët italianë.

Përveç vjedhjeve, ata do të përgjigjen edhe për veprat penale të riciklimit, marrjes së automjeteve të vjedhura dhe rezistencës ndaj forcave të rendit.

Hetimet kanë nisur pas një vjedhjeje të kryer në fund të shtatorit 2023 në ‘San Vito Tagliamento’.

Katër shqiptarët, pa vendbanim të përhershëm dhe që lëviznin në zonën e Milanos, kishin zhvilluar një metodë të kujdesshme për të mos lënë gjurmë.

Ata vepronin gjithmonë me të njëjtin stil: arrinin me makina sportive, prej nga zbrisnin dy ose tre persona, të pajisur me kaçavida, sharrë elektrike (flex) dhe leva hekuri, ndërsa njëri qëndronte për të bërë rojën. Pasi kalonin rrethimet dhe portat, në pak sekonda forconin dyer ose dritare për të hyrë brenda.

Në katër rastet kur nuk arritën të kryenin vjedhjet, veprimet e tyre u ndërprenë nga prania e pronarëve në shtëpi ose nga aktivizimi i alarmit.