Projektbuxheti 2026/ Topalli: Diskutimet pa paketën fiskale precedent i rrezikshëm, Kuvendi kthehet në noter të qeverisë
Deputetja e PD, Jozefina Topalli ka reaguar, lidhur me diskutimet për projekt-buxhetin e 2026.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Topalli shkruan se pa paketë fiskale, buxheti i shtetit nuk mund të cilësohet një dokument ekonomik, porse një deklaratë politike.
Sipas Topallit, është shkelje e rëndë e Kushtetutës nga ana e qeverisë, kur kjo e fundit sjell për diskutim buxhetin, pa paraqitur më parë paketën fiskale.
‘Na tregojnë sa do të shpenzojnë, por e fshehin kush do t’i paguajë. Në këtë vend, buxheti vjen si dhuratë, pa faturë!’, shkruan ligjvënësja e PD.
‘Nëse lejojmë këtë precedent, nesër buxheti do të bëhet pa ligj, dhe Kuvendi do të mbetet vetëm noter i qeverisë’, thekson Topalli.
Reagimi
Pa pakete fiskale, buxheti i shtetit nuk eshte dokument ekonomik , por nje deklarate politike.
Qeveria ka shpikur buxhetin pa taksa — një mrekulli që s’e ka parë as ekonomia e përrallave.
Qeveria po paraqet buxhetin pa sjellë më parë paketën fiskale — dhe kjo është shkelje e qartë e nenit 78 të Rregullores së Kuvendit dhe e Kapitullit të Financave Publike të Kushtetutës.
Kushtetuta thotë qartë: nuk mund të ketë shpenzim pa burim të ligjshëm të ardhurash.
Pa paketë fiskale, buxheti është dokument i rreme — është propagandë, jo politikë financiare.
Na tregojnë sa do të shpenzojnë, por e fshehin kush do t’i paguajë.
Në këtë vend, buxheti vjen si dhuratë, pa faturë!
Në çdo vend demokratik, buxheti dhe paketa fiskale janë një e vetme. Keshtu ka ndodhur ne Parlament per mbi 2 dekada.
Nëse lejojmë këtë precedent, nesër buxheti do të bëhet pa ligj, dhe Kuvendi do të mbetet vetëm noter i qeverisë.
Po ta bënte këtë një student i vitit të parë të ekonomisë, do të ngelte provimin; po ta bëjë qeveria, e quan reformë.”