Boçi: Opozita kërkon respektimin e rregullores, nuk mund të diskutohet projektbuxheti pa paketën fiskale

Diskutimi për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm ka nisur me debate të ashpra procedurale mes mazhorancës dhe opozitës. Në një mbledhje parlamentare, ka mbajtur fjalën e tij edhe Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i cili shprehet se opozita kërkon që diskutimi i buxhetit të bëhet në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën, të cilat kërkojnë miratimin e paketës fiskale para projektbuxhetit.

Sipas Boçit, qëndrimi i mazhorancës, e cila ka kërkuar avancimin e diskutimit të projektbuxhetit, është në kundërshtim me rregulloren, e cila, siç theksoi ai, është e qartë dhe është miratuar edhe nga mazhoranca e kaluar. Boçi theksoi se, për sa kohë rregullorja e Kuvendit e kushtëzon diskutimin e buxhetit me paketën fiskale, nuk ka asnjë justifikim për të injoruar këtë procedurë dhe për të kaluar në diskutimin e projektbuxhetit pa miratimin e parë të paketës fiskale.

Në fjalën e tij, Boçi kërkoi që ky diskutim të shtyhet për një javë, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje më të mençur dhe paqësore, për të shmangur përplasje të mëtejshme dhe për të respektuar ligjin dhe rregulloren parlamentare. Ai theksoi se nuk ka asnjë kundërshtim për projektbuxhetin si një akt financiar të rëndësishëm, por kërkoi që të respektohen procedurat ligjore dhe të bëhet një diskutim i bazuar në logjikë dhe në respekt të dokumenteve themeltarë të shtetit.

Fjala e tij:

Faleminderit zoti kryetar. Tani këtu ka dy qëndrime. Qëndrimi i mazhorancës u shpreh nga kreu i grupit parlamentar dhe nuk gaboj fare ta përsëris, jo fjalë për fjalë ndoshta, ku cilësoi që ne duhet të diskutojmë projektbuxhetin sepse kështu keni vendosur ju, e ka sjellë kryetari, po. E ka sjellë kryetari. Ndërkohë është qëndrimi ynë, qëndrimi i opozitës. Ne themi që duhet të respektojmë rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.

Tani ne jemi përfaqësues politikë dhe këtu duhet të respektojmë dokumentat themeltarë të shtetit dhe dokumentin që rregullon punën tonë parlamentare, Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit. Dhe përderisa kjo rregullore kushtëzon diskutimin për paketën fiskale, s'ka pse... e lexuam dhe ju referova dy qëndrimeve sepse i dëgjova me vëmendje. Dhe unë e di shumë mirë, lexoje dhe interpretoje. Dhe leximi është shumë i saktë, sepse u tha dhe këtu, këtu nuk lexohet ashtu siç e lexoni ju, se domethënë, këta kanë një shqipe tjetër, ne kemi një shqipe tjetër, një kuptimësi, se këtu po na bëjnë dhe leksione për kuptimin e gjuhës edhe koncepteve. Rregullorja është e saktë, është vendosur dhe është vendosur dhe nga ju. E argumentoi zonja Tabaku shumë mirë, edhe nga përvoja e vet parlamentare, që duhet të vijë paketa fiskale.

Këtu nuk ka kundërshti për projektbuxhetin, nuk ka as emocione negativiste për buxhetin. Mos i bini gjoksit kaq shumë, të krahasoni Shqipërinë 10 vite apo siç e bëni ju me vitin '38, zakonisht. Dhe se i dimë shumë mirë dhe ato manovrimet financiare të kurseve dhe gjërave. Nuk jemi në këtë fazë të debatit. Këtu jemi për të respektuar rregulloren. I lëmë të gjitha interpretimet e tjera. Rregullorja e ka përcaktuar. Ju e keni vendosur si mazhorancë e atëhershme që duhet bërë diskutimi për paketën fiskale, ta shtyjmë një javë, është propozimi më i mençur edhe më paqtues, nuk ka asgjë të keqe, pse me kaq hyxhym ju? Me yrysh të madh domethënë, 'oh kemi këtë me fryrje'. Hajde, ta vendosim mbi bazën e logjikës çdo diskutim. Faleminderit.