Wenger, i ashpër me Liverpool-in: Shkatërruan mesfushën për t’i bërë qejfin Wirtz-it

Arsène Wenger ka kritikuar ashpër vendimin e Liverpool-it për t’i plotësuar kërkesën Florian Wirtz-it që të luajë në qendër të mesfushës, duke thënë se kjo zgjedhje “ua ka shkatërruar mesfushën”. Talenti gjerman iu bashkua Liverpool-it në verë për rreth 116 milionë paundë, duke thyer rekordin britanik të transfertave, por deri tani nuk ka arritur të rikthejë formën që e bëri protagonist te Bayer Leverkusen në triumfin e tyre në Bundesliga 2023/24.

Wirtz ende nuk ka shënuar dhe nuk ka dhënë asistim në Premier League dhe shpesh e ka nisur ndeshjen nga stoli, teksa trajneri Arne Slot përpiqet të gjejë mënyrën më të mirë për ta aktivizuar. Megjithatë, 22-vjeçari e nisi titullar ndeshjen e Champions League kundër Real Madridit, ku goli vendimtar u shënua nga Alexis Mac Allister, përpara se Wirtz të zëvendësohej nga Federico Chiesa.

Wenger deklaroi në beIN Sports se Wirtz zgjodhi Liverpool-in përpara Bayern-it, sepse iu garantua roli i mesfushorit ofensiv prapa sulmuesit. Sipas tij, duke e pranuar këtë kusht, Liverpool ka prishur ekuilibrin në mesfushë, duke hequr nga formacioni Dominik Szoboszlai-n, pjesë kyçe e mesfushës së sezonit të kaluar bashkë me Ryan Gravenberch dhe Mac Allister.

Sipas Wenger-it, përballë Aston Villa-s Liverpool-i u kthye te mesfusha e zakonshme dhe kundër Real Madridit Wirtz u rikthye titullar, por këtë herë u detyrua të luante nga krahu i majtë, një pozicion që e ka mbuluar edhe te Leverkusen-i. Szoboszlai madje ka luajtur edhe si mbrojtës i djathtë këtë sezon, ndërsa skuadra përpiqet të përshtatet pas mungesës së Trent Alexander-Arnold.

Edhe pse Wirtz pati një fillim premtues me disa kontribuime në gola në ndeshjet e para, ai është aktivizuar vetëm gjashtë herë titullar në Premier League. Triumfi kundër Real Madridit e ka ngjitur Liverpool-in në top-6 të fazës së ligës së Champions-it, ndërsa përpara skuadrës qëndrojnë duelet me PSV, Inter, Marseille dhe Qarabag. Pas dy fitoreve radhazi, skuadra e Arne Slot synon të ngushtojë diferencën me kryesuesit Arsenalit, në sfidën e radhës ndaj Manchester City në “Etihad”.