Bardhi: Qeveria kërkon ta miratojë buxhetin në errësirë, pa transparencë dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit!

Diskutimi për kalendarin e shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend, ku opozita ka akuzuar mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit. Sipas deputetëve të opozitës, kalendari i propozuar për miratim përfshin vetëm projektligjin për buxhetin e shtetit, duke lënë jashtë paketën fiskale dhe ligjet e tjera shoqëruese.

Kjo, sipas deputetëve, përbën një shkelje të rëndë procedurale, pasi Kushtetuta dhe rregullorja përcaktojnë qartë se projektbuxheti dhe paketa fiskale duhet të shqyrtohen si një e tërë, brenda një programi dhe kalendari të veçantë.

Duke iu referuar praktikave të mëparshme, u theksua se ka pasur precedentë kur Konferenca e Kryetarëve ka refuzuar të diskutojë buxhetin pa praninë e paketës fiskale.

Konkretisht, u përmendën rastet e vitit 2016, kur Kuvendi drejtohej nga Gramoz Ruçi, dhe një rast tjetër tre vite më parë, nën drejtimin e Lindita Nikollës.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i bëri thirrje kryetarit të seancës të respektojë ligjin dhe Kushtetutën, duke propozuar shtyrjen e diskutimit derisa Ministria e Financave të finalizojë paketën fiskale, për të cilën u tha se pritet të paraqitet javën e ardhshme.

“Do të duhet të respektojmë që projektligji i buxhetit të vijë bashkë me projektligjet financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të,” u shpreh Bardhi.

Deklarata e plotë:

"Programin e veçantë, kalendarin e veçantë të shqyrtimit të tyre, pra të projektligjit të buxhetit dhe të paketës fiskale, do të duhet të kenë edhe ligjet që shoqërojnë projektbuxhetin e shtetit.

Ne sot jemi ftuar të miratojmë një kalendar që përfshin vetëm projektligjin për buxhetin e shtetit. Ndërkohë, Kushtetuta dhe Rregullorja na thonë që kalendari duhet të përfshijë këtë ligj, pra buxhetin e shtetit dhe paketën fiskale.

Dhe e tha zonja Tabaku, nuk kemi qenë ne në drejtimin e Kuvendit, ku ky Kuvend, që nga koha në fakt kur drejtohej nga zoti Ruçi, jo vetëm përpara tre vitesh, ka ndodhur dy herë në këto 12 vite që Konferenca e Kryetarëve nuk ka pranuar prezantimin e projektligjit të buxhetit pa ardhur edhe paketa fiskale.

Ka ndodhur në vitin 2016, kur Kuvendi drejtohej nga zoti Ruçi, dhe ka ndodhur edhe përpara tre vitesh, kur Kuvendi drejtohej nga zonja Lindita Nikolla. Që kështu, zoti kryetar, ju ftoj të respektoni Kushtetutën edhe ligjin.

Në qoftë se Ministria e Financave, qeveria, kërkon edhe një javë kohë që të përmbyllë paketën fiskale, mund të ngushtohet kalendari që të arrijmë afatet e miratimit të tij brenda këtij viti, por do të duhet të respektojmë që projektligji i buxhetit të vijë bashkë me projektligjet financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Kushtetuta dhe Rregullorja nuk flasin për impaktin, por për projektligjet financiare që kanë lidhje me buxhetin.

Dhe ministri sapo konfirmoi që është duke bërë një paketë, nëse nuk e kuptuam gabim, që është duke e konsultuar dhe do ta sjellë javës që vjen. Meqenëse vjen javës që vjen, bashkë me atë të miratojmë kalendarin e plotë, siç e ka Rregullorja e Kuvendit."


.