'Rama po zbaton urdhrin e Sorosit'/ Koalicioni Shqiptar njofton tubim paqësor ditën e nesërme: Qëndrojmë bashkë për familjen!
13:33, 05/11/2025
Koalicioni Shqiptar “Pro Familjes & Jetës” njofton tubim paqësor më 6 nëntor, duke kërkuar tërheqjen e projektligjit që cenon vlerat tradicionale të familjes.
Një ditë përpara se mazhoranca e Edi Ramës të dërgojë për votim në Kuvend projektligjin e debatueshëm për “Barazinë Gjinore”, Koalicioni Shqiptar “Pro Familjes dhe Jetës” ka njoftuar zhvillimin e një tubimi paqësor përpara Kuvendit të Shqipërisë, më 6 nëntor, ora 09:30.
Në thirrjen publike të shpërndarë nga organizata, qytetarët ftohen të qëndrojnë bashkë për familjen dhe fëmijët, përballë asaj që e cilësojnë si projektligj shkatërrues për familjen tradicionale shqiptare.
Sipas Koalicionit, nisma e qeverisë “hap derën për njohjen ligjore të më shumë se dy gjinive”, duke rrëzuar konceptin biologjik “burrë e grua” dhe duke përgatitur terrenin për arsimimin e fëmijëve me ideologji transgjinore e fluide, në kundërshtim me traditat, moralin dhe besimet e shumicës së shqiptarëve.
“Partia Socialiste dhe kryeministri Rama nuk duhet t’i presin në besë shqiptarët! Ky projektligj është antikombëtar, antifamilje dhe antifëmijë. Mos votoni kundër fëmijëve tuaj — historia do t’ju gjykojë”, – thuhet në deklaratën e Koalicionit “Pro Familjes & Jetës”.
Ligji që ka ndezur debatin
Projektligji i ri për “Barazinë Gjinore”, i cili pritet të kalojë me urgjencë të enjten në Kuvend, është kritikuar gjerësisht si një nismë që “importon ideologjitë WOKE perëndimore në Shqipëri”.
Opozita, komunitetet fetare dhe shoqatat qytetare e kanë cilësuar atë si “projektin e radhës të Sorosit dhe Edi Ramës për të shkatërruar themelet e familjes shqiptare”.
Qeveria nën akuzë për “shërbim ndaj axhendës ndërkombëtare”
Sipas burimeve opozitare, nisma është pjesë e agjendës ndërkombëtare të rrjeteve të financuara nga George Soros, që synojnë “zhdukjen e identitetit kombëtar dhe shpërbërjen e familjes tradicionale”.
Kryeministri Rama akuzohet se po e “përmbush detyrimin e fundit ndaj mentorit të tij ideologjik”, duke e bërë Shqipërinë vendin e parë që kalon ligje të tilla jashtë perëndimit progresiv.
Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se protestat do të përshkallëzohen nëse Kuvendi miraton ligjin pa konsultim publik.
Thirrja :
Koalicioni “Pro Familjes & Jetës” u bën thirrje qytetarëve që nesër të jenë të pranishëm para Kuvendit në orën 09:30, për të “mbrojtur familjen, fëmijët dhe të ardhmen e vendit”.
“Nëse sot heshtim, nesër fëmijët tanë do të rriten në një vend ku fjala ‘nënë’ e ‘baba’ do të fshihet nga librat,” – përfundon deklarata.