'Kuvendi si në Afrikë'/ Mazhoranca bllokon debatin për aferën Balluku, Bardhi: Kjo është sot situata në Kuvendin e Shqipërisë!
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka denoncuar sot refuzimin e kërkesës së opozitës për një interpelancë urgjente në Kuvend me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, lidhur me aferën e tunelit të Llogarasë. Bardhi u shpreh se mazhoranca nuk e përfshiu këtë kërkesë në rendin e ditës, duke treguar një mungesë totale të llogaridhënies dhe respektit ndaj parlamentit.
Ai theksoi se situata është e papranueshme dhe e krahasoi me "standartet afrikane të qeverisjes", ku sipas tij, institucionet nuk japin llogari, duke e lidhur këtë direkt me qeverisjen e Edi Ramës.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se kryetari i Kuvendit ka shmangur trajtimin e interpelancës për shkak të urdhërave politike të zëvendëskryeministres Balluku, duke mohuar të drejtën e opozitës për të kërkuar përgjegjësi dhe transparencë.
Bardhi vuri në dukje se mosfutja e kësaj interpelance në rendin e ditës nuk është vetëm një shkelje procedurale, por një shembull i qartë i mungesës së përgjegjësisë institucionale, duke i bërë thirrje mazhorancës që të lejojë hetimin dhe diskutimin publik për aferat e korrupsionit të qeverisë.
Gazment Bardhi: Në fakt është refuzuar. Nuk është përfshirë në rendin e ditës, sepse standartet afrikane të Edi Ramës, se nuk ka asnjë lidhje me standartet europiane, e përjashtojnë llogaridhënien. Në Afrikë qeveria nuk jep llogari. Edhe në Shqipëri Edi Rama nuk jep llogari ndaj parlamentit. Është parlamenti që i jep llogari Edi Ramës.
Kjo është sot situata në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj kam vënë kryetar kuvendi një njeri që nuk njeh as ligj, as kushtetutë, as rregullore, mjafton urdhëri politik i Belinda Ballukut që unë nuk vij t'ju jap llogari për një aferë që është marrë zyrtarisht e pandehur dhe kryetari i Kuvendit e ka detyrim ta fusë në rend dite, por e vërteta është që nuk e ka futur në rend dite. Faleminderit shumë"