'Transporti publik në kolaps'/Memaj: Humbje kolosale dhe taksa absurde, pa subvencione s’ka shërbim cilësor
Transporti publik në Tiranë dhe rrethina ndodhet në krizë të thellë financiare, duke rrezikuar kolapsin e shërbimit për qytetarët. Operatorët raportojnë humbje kolosale, të shkaktuara nga rritja e kostove, mungesa e subvencioneve dhe një sistem taksimi “paradoksal”.
Që prej vitit 2016, kostot operacionale janë rritur ndjeshëm. Paga minimale është më shumë se dyfishuar, ndërsa inflacioni dhe çmimet e pjesëve të këmbimit kanë rënduar financat. Analizat tregojnë se çmimi real i biletës duhet të ishte 60–70 lekë, por mbetet shumë më i ulët.
Një pengesë e madhe është sistemi fiskal: transporti taksohet me 20% TVSH dhe paguan “taksa qarkullimi” për çdo autobus, çka dekurajon shërbimin cilësor.
Kriza kulmoi me rritjen e çmimit të biletës në linjat Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë, pasi Bashkia Kamëz nuk kishte fonde për subvencion. Operatorët e quajnë zgjidhje të pjesshme, por të vetmen për të shmangur ndërprerjen e shërbimit.
Kreu i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj, nga studioja e 'Kafe Shqeto' tha se qytetarët ndihen të lënë pas dore dhe akuzojnë mungesën e mbështetjes institucionale, ndërsa bilancet negative janë injoruar prej vitesh. Pa financim, është e pamundur përmirësimi i kushteve apo investimi në mjete moderne.
Si zgjidhje, propozohet ristrukturimi i modelit të menaxhimit, sipas modelit të Londrës, ku kompanitë paguhen nga shteti për kilometër të përshkuar, jo për numrin e pasagjerëve. Megjithatë, theksohet se pa korsi të dedikuara, çdo përmirësim do të mbetet i pamjaftueshëm.
Deklarata e plotë:
"Kemi paraqitur situatën reale ekonomike të operatorëve. Nuk kemi fryrë pasqyrat financiare, por kemi treguar realitetin: transporti publik është në humbje kolosale. Nëse nuk subvencionohet, nuk mund të ketë përmirësim të kushteve, respektim të kontratës apo shërbim cilësor.
Me këtë trafik të rënduar, sado mjete të nxjerrësh, nuk mund të ketë shërbim më të mirë. Paga minimale është rritur nga 22 mijë në 40 mijë lekë, pritet të shkojë 50 mijë, ndërsa pjesët e këmbimit janë shtrenjtuar për shkak të importit dhe rënies së euros. Jemi në një situatë të pamundur.
Nëse Bashkia e Kamzës do kishte mundësi të subvenciononte, nuk do të duhej të rritej çmimi i biletës. Zgjidhja e vetme për të mos ndërprerë shërbimin ishte ndërhyrja në çmim, por kjo nuk është e drejtë sepse nuk u prekën të gjitha linjat. Operatorët kanë vite që dorëzojnë bilance negative dhe askush nuk i merr parasysh.
Transporti publik taksohet me 20% TVSH – në asnjë vend të Europës nuk është kaq – dhe paguan edhe taksë qarkullimi, që dekurajon nxjerrjen e mjeteve në rrugë. Kjo është paradoksale: taksohet shërbimi që duhet inkurajuar.
Ne kemi kërkuar takime, por asnjë kërkesë ekonomike nuk është marrë parasysh. Me një biletë 40 lekëshe, ku përfshihen TVSH, sigurime, taksa dhe paga, operatorët mezi mbijetojnë. Ende përdorim biletë fizike të viteve ’50.
Në vend që të mbështeten operatorët, jemi shndërruar në “armikun e publikut”. Nuk mund të ketë transport të mirë publik me 10 lekë më shumë në biletë, pa korsi të dedikuara dhe pa investime.
Modeli duhet ndryshuar: si në Londër, ku kompanitë paguhen nga shteti për kilometër, jo për numrin e pasagjerëve. Kështu do të ofrohej shërbim cilësor, pa stres dhe me subvencione reale. Transporti publik mund të ishte edhe falas, nëse shteti do hiqte barrën e taksave.
Nëse autobusat mbeten në trafik me makinat e vogla, nuk do të kemi kurrë transport të shpejtë. Zgjidhja është e qartë: subvencionim, korsi të dedikuara dhe mbështetje reale nga institucionet".