SYRI TV/ Rama krenohet me luftën kundër korrupsionit: Nuk pranojmë leksione nga askush
Ndërsa numri dy i qeverisë së tij është e pandehur nga SPAK, dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë janë të dënuar apo të akuzuar për afera korruptive, kryeministri Edi Rama është krenuar me luftën kundër korrupsionit. Gjatë një interviste në samitin e zgjerimit në Euronews, duke iu referuar BE-së, Rama tha se nuk pranon leksione nga askush kur vjen puna për luftën kundër korrupsionit.
Syri TV
Në një kohë kur zëvendësja e tij është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë me vlerë 190 mln euro, Edi Rama vijon të pretendojë se Shqipëria ka bërë një luftë të madhe kundër korrupsionit, megjithëse buxheti i shtetit është kthyer në një burim që ushqen korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes. Megjithëse shumë prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në 12 vite qeverisje janë dënuar apo akuzuar për afera të rënda korruptive, gjatë një interviste për samitin e zgjerimit në Euronews, ka inskenuar personin e fyer dhe të revoltuar duke thënë se nuk pranon leksione nga askush kur vjen puna për luftën kundër korrupsionit.
Teksa Mali i Zi, në ndryshim nga Shqipëria, mori një datë konkrete për anëtarësimin në Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama është munduar të anashkalojë skepticizmin që Brukseli ka ndaj Shqipërisë, duke vijuar, ashtu si në fushatë elektorale, të premtojë anëtarësimin në vitin 2030.
Gjatë prezantimit të progres-raportit, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se mbyllja e negociatave deri në vitin 2027 është një afat ambicioz, ndërsa Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.