VIDEO-SYRI TV/ Detaje të reja nga dosja 'Balluku', sharje e fyerje ndaj Edi Ramës

Në dosjen e SPAK për Belinda Ballukun ekzistojnë disa komunikime mes numrit 2 të qeverisë dhe vartësve të saj me sharje dhe fyerje ndaj Kryeministrit Edi Rama. Gazetari Elton Qyno ka mësuar se mesazhe pakënaqësie shkëmbehen për një zyrtar të lartë, të cilin ata e quajnë ‘Palloshi i gjatë’ dhe që dyshohet se i referohen kreut të qeverisë Edi Rama.

Nga SYRI TV

Disa komunikime që shkojnë përtej formatit zyrtar, janë shkëmbyer mes ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi, zv/kryeministres Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë që tashmë janë marrë të pandehur nga prokuroria e posaçme SPAK.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se mesazhe pakënaqësie shkëmbehen për një zyrtar të lartë, të cilin ata e quajnë ‘Palloshi i gjatë’ dhe që dyshohet shumë se i referohen kryeministrit aktual të vendit, Edi Rama.

Këtë mesazhe janë rikuperuar pikërisht në telefonat e sekuestruar Evis Berberit, i cili thuajse çdo ditë ka komunikuar me Belinda Ballukun, por edhe me zyrtarët e tjerë, ku ndër të tjera janë lëshuar sharje dhe fyerje për kryeministrin e vendit, Edi Rama.

Këto mesazhe pakënaqësie dhe fyese për ‘Palloshin e gjatë’ tashmë janë në dosjen e SPAK dhe administruar si prova materiale.

Mesazhet fillimisht janë ekstraktuar për nevojat e hetimit të dosjes penale me Nr. 214/1, ku janë marë 24 të pandehur dhe më pas komunikimet në aplikacionin Whatsapp, i janë bashkuar dy dosjeve të tjera me Nr. 167 dhe Nr.181 të vitit 2024, të cilat aktualisht po hetohen në një procedim të vetëm me Nr.136 të vitit 2025 që për momentin janë zyrtarizuar 6 të pandehur mes të cilave dhe Belinda Ballukut.

Këto komunikime telefonike të Evis Berberit, zbulojnë rolin e zv/kryeministres Belinda Balluku, në ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në paracaktimin e kompanive fituese në disa tendera, përfshirë këtu dhe rastin për supervizimin e punimeve që kryheshin në tunelin e Llogarasë nga një kompani turke dhe kompania Shqiptare ‘Gjoka Konstruksion’.

Deri në këtë fazë, hetimi është orientuar në provimin e një fakti penal, atë të ‘Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike’. Ndërsa episode të tjera të dyshuara kriminale dhe që ka vend për dyshime të arsyeshme janë veprat penale të ‘Korrupsionit’, ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale’ dhe ‘Fshehja apo mosdeklarimi i pasurisë’.