Marta Kos: BE nuk do të pranojë më ‘kuaj të Trojës’ — anëtarët e rinj do kalojnë periudhë prove

Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos thotë se blloku po diskuton masa më të rrepta sigurie ndaj anëtarëve të rinj që mund të ndjekin shembullin e Hungarisë

Nga Barbara Moens dhe Henry Foy - Financial Times

Shtetet e reja anëtare të Bashkimit Europian mund të vihen "në provë" për disa vite dhe të përjashtohen nga blloku në rast sebëjnë hapa pas në aspektin demokratik, sipas një propozimi që synon të zbusë shqetësimet për përsëritjen e rastit të Hungarisë pas anëtarësimit.

Të shtyrë nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës në vitin 2022 dhe dëshira për të përfshirë vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Europian ka ringjallur procesin e zgjerimit që kishte qenë i pezulluar për më shumë se një dekadë.

Megjithëse shumë vende anëtare mbështesin zgjerimin e ndikimit rajonal të BE-së, disa kryeqytete janë kundër pranimit të Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që mund të shkelin rregullat e bllokut për demokracinë, lirinë e medias dhe pavarësinë e gjyqësorit, e të rreshtohen me Rusinë.

"Nuk dua të mbahem mend si komisionerja që solli kuajt e Trojës, të cilët më pas do të veprojnë pas 5, 10, ose 15 vitesh,"tha komisionerja e zgjerimit të BE-së, Marta Kos, për FinancialTimes. Ajo shtoi se Komisioni po zhvillon ide si "periudha tranzicioni; një lloj prove; masa mbrojtëse", megjithëse këto janë ende në fazat e para.

"Na duhet ky debat dhe nuk duhet të kemi frikë prej tij," shtoi ajo.

Të martën, Komisioni publikoi raportin vjetor mbi përparimin e vendeve kandidate, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë, ku Mali i Zi u vlerësua si vendi që ka bërë përparimin më të madh në reformat e nevojshme për anëtarësim.

 Me gjithë këtë progres, Kos pranoi se kryeqytetet e BE-së janë shumë më të kujdesshme privatisht për pranimin e anëtarëve të rinj, krahasuar me mbështetjen që shprehin publikisht.

Kjo ndjenjë buron nga përvoja me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, i cili ka zbutur vazhdimisht sanksionet ndaj Rusisë, është kundër çdo ndihme ushtarake për Ukrainën dhe është bërë gjithnjë e më autoritar në vend, pavarësisht përpjekjeve të Brukselit për ta ndëshkuar duke i bllokuar fondet e BE-së.

Kos tha se Komisioni po përgatit propozime që përfshijnë masa më të forta për sundimin e ligjit dhe mekanizma më efikasë për pezullimin e të drejtave ose përfitimeve nëse shkelin vlerat bazë. Një vend mund të përjashtohet nga blloku në rast të shkeljeve të përsëritura, theksoi ajo.

Raporti i zgjerimit i së martës deklaron se "marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit do të duhet të përmbajnë masa më të forta kundër hapave prapa lidhur me angazhimet e marra gjatë negociatave, si dhe kërkesa që shtetet e reja anëtare të garantojnë dhe bëjnë të pakthyeshme arritjet në fushën e shtetit ligjor".

Qasja e re do të vendosë kushte më të ashpra për anëtarët e rinj sesa për ata ekzistues, përfshirë Hungarinë, gjë që mund të sjellë ankesa nga Kievi dhe kryeqytetet e tjera aspiruese se po diskriminohen.

Ukraina dhe Moldavia nisën negociatat e anëtarësimit vitin e kaluar, por Hungaria ka bllokuar hapjen formale të "grupeve negociuese" në fusha si energjia, konkurrenca dhe sundimi i ligjit.

Komisioni ka vepruar për të anashkaluar veton e Orbánit duke vazhduar punën teknike, në pritje të vendimeve politike për hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues.

"Nuk të duhet Orbáni për të bërë reformat në procesin tënd të transformimit," tha Kos. "Shumë më e rëndësishme është zbatimi real i reformave. Dhe ka ende shumë për të bërë në të dy vendet, Ukrainë dhe Moldavi."

Ajo gjithashtu e quajti "të sajuar" lidhjen mes dy vendeve, që në praktikë do të thotë se procesi i Moldavisë është bllokuar nga vetoja e Hungarisë për Ukrainën, dhe sugjeroi se ato mund të ndahen nëse është e nevojshme.

Kos hodhi poshtë akuzat se propozimi do të krijonte një anëtarësim "me dy nivele" në BE, duke thënë se vendet e ardhshme do të jenë të përkushtuara ndaj shtetit ligjor dhe nuk do të përballen me kufizime.

Ajo shtoi se Brukseli dëshiron të rrisë përfshirjen graduale të vendeve kandidate në programet europiane para se të bëhen anëtare të plota, për shembull përmes "mburojës demokratike" të bllokut, një nismë e re që synon të adresojë rreziqet më të mëdha ndaj demokracisë në BE.

Komisionerja këmbënguli se vendet kandidate mund të bashkohen me bllokun vetëm pasi të kenë kryer reformat e brendshme, duke pranuar njëkohësisht urgjencën e re të zgjerimit në Europën Lindore.

"Ne kemi arritur ta ndalim Rusinë te dera," tha Kos, duke iu referuar përpjekjeve të luftës në Ukrainë, fitoreve zgjedhore pro-BE në Moldavi dhe mbështetjes së gjerë për anëtarësim në vendet kandidate. Por ajo paralajmëroi se nëse blloku nuk mban ritmin e zgjerimit, "frika më e madhe që kam është se rusët do të hyjnë nga dera e pasme."/ FT - Syri.net/