Kaso: Opozitës i është mohuar zëri në Parlament, jemi larg dialogut politik që kërkon integrimi europian

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka akuzuar mazhorancën se po pengon opozitën në ushtrimin e të drejtave kushtetuese dhe mekanizmave të kontrollit parlamentar. Në studion e ‘Task-Forcës’ në Syri TV, Kaso tha se opozitës i janë mohuar komisionet hetimore, mocionet me debat dhe interpelancat, duke e cilësuar situatën në Kuvend si “absurde dhe jashtë çdo standardi demokratik”. Ai shtoi se mungesa e dialogut dhe provokimet politike po e largojnë Shqipërinë nga rruga e integrimit europian.

Ivi Kaso: Një e drejtë kushtetuese dhe një nga mekanizmat e kontrollit parlamentar që është e ngritja e komisioneve hetimore, sikundër janë mohuar në gjithë, le të themi, ushtrimet e përbashkëta të seancave të parlamentit. I është mohuar mekanizmi i mocioneve me debat, i është mohuar mekanizmi i interpelancave, ku arrin në kushte absurdi qoftë edhe parlamentar, ku thirren ministrat për interpelancë dhe nuk denjojnë të vijnë. Thirret kryeministri, nuk vjen. Thirret zëvendëskryeministrja, nuk vjen.

Përtej asaj çka ishte faqe gjithë botës, që skena e shëmtuar dhe provokimi i opozitës që u bën në seancën e parë të vërtetë solemne të kësaj legjislature, në të cilën duhet të shpalosej programi i qeverisë, duhet të votë-besohej programi i qeverisë, sikundër duhet të njiheshin ministrat, drejtonte pyetje opozita, pra një nga seancat më të rëndësishme të kësaj legjislature, e cila u mbyll pa debat, thjesht dhe vetëm se kryeministri vendosi të provokonte opozitën duke nxjerrë atë avatarin e vet atje, Diellën, dhe duke tentuar që t'i hapte vend në tryezën e dialogut parlamentar.

Kështu që ka shumë raste, është e kotë të ndalem te të gjitha, kur opozitës i është mohuar zëri, i është mohuar ai bashk-bashkëveprimi normal në një demokraci, ku sigurisht opozita do të thotë të sajën, do të përpiqet që me mekanizmat kushtetues që i ka, të ushtrojë kontrollin e vet. Dhe sot jemi shumë larg, për fat të keq, për fat të keq për integrimin e Shqipërisë, shumë larg asaj çka kërkon, çka është nënvizuar me të drejtë dhe që është kushti i kushteve për përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit, që është ajo dialogu politik gjithëpërfshirës, pra kthimi i jetës politike në përgjithësi dhe institucionale sigurisht, në një normalitet siç duhet të jetë në një demokraci.