DOKUMENTI/ Publikohen përgjime nga afera 'Balluku', Bardhi: Opozita do bëjë transparencë të dosjes hetimore

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me dosjen ‘Balluku’.

Me atë një postimi në Facebook, Bardhi ka publikuar edhe disa përgjime dhe pjesë nga kjo dosje. Ai shkruan se, opozita do të bëjë transparencë të dosjes hetimore

Përgjimet e dosjes Balluku:

Përgjimi numër 1:

Në lidhje me këtë veprim të njësisë së prokurimit, nga akti i ekspertimit nr.195, datë 26.09.2024, të aparatit celular ‘Blackberry’, model ‘BBF100-6’, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënave teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular, kanë rezultuar komunikime ndërmjet shtetasit Evis Berberi dhe Belinda Balluku, si më poshtë:

Në datën 26.01.2021, në orën 12:25, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: ‘Një pyetje’.

Në orën 12:25, Evis Berberi: ‘Po’.

Në orën 12:26, Belinda Balluku: ‘Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperiencën e objekteve të ngjashme. Nga 5 vite në 3???’

Në orën 12:26, Evis Berberi: ‘Kërkoi Pellumbi të jetë 3 nga 5 vitet e fundit’.

Në orën 12:27, Belinda Balluku: ‘Po çne? Kush e bëri kërkesën e KPP?’

Në orën 12:27–12:31, Evis Berberi: ‘Në KPP çfarë kërkese është bërë. Takimi që patëm në dt 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin ai kërkoi që të jetë 3 nga 5 vitet e fundit. Sipas VKM, eksperienca duhet kërkuar tre vitet e fundit. Ndërkohë që ai se kishte dhe e lamë 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta më tha që e kishte diskutuar përpara takimit me Pellumbin këtë gjë me ty.’

Pjesë nga dosja Balluku:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përfaqësuar nga shtetasi Gazment Bardhi, me datë 12.09.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.181, të vitit 2024, për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Duke qenë se ishte i njëjti fakt penal objekt hetimi, në lidhje me procedurat e prokurimit — me nr. REF-81916-12-11-2020 dhe nr. REF-98814-06-22-2021, me objekt ‘Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë’, me datë 20.09.2024 është vendosur bashkimi i procedimit penal nr.167 të vitit 2024 me procedimin penal nr.181 të vitit 2024, në një procedim penal të vetëm, atë me nr.167 të vitit 2024, për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e materialit hetimor të referuar kryesisht nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me datën 16.06.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.125 të vitit 2025 për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Duke qenë se ishte i njëjti fakt penal objekt hetimi, në lidhje me procedurën e prokurimit ...

Reagimi i Gazment Bardhit:

I tronditur nga dosja penale e një Zëvendëskryeministri që e trajton shtetin si oborrin e shtëpisë.  Opozita do të bëjë transparencë të plotë të aferës korruptive të Belinda Ballukut që tregon sesi funksionon shteti nën drejtimin e Edi Ramës.

Ndjehem krenar që aferat e kësaj Qeverie, grupi ynë parlamentar jo vetëm i denoncon publikisht, por edhe institucionalisht në SPAK. Procedimi penal nr. 181, viti 2024, që ka nisur mbi bazën e kallëzimit tonë, nuk do të jetë kurrë i plotë nëse paratë e korrupsionit nuk kthehen në Buxhetin e Shtetit.

P.s: E pandehura Belinda Balluku mendoj se duhet të udhëheq procesin e integrimit europian. Me atë rast, i tregon edhe BE sesi mund të bëjnë korrupsion dhe sesi mund ti ndajnë tenderat për qoka pushteti.