Çfarë mësoi Steve Jobs nga Mbreti Lir i Shekspirit

Risia. Kjo ishte ajo që e udhëhoqi Steve Jobs-in për 35 vjet, nga viti 1976 deri në vdekjen e tij në vitin 2011. Duke parë potencialin e mausit të kompjuterit, animacionit digjital dhe smartfonit, ai ndihmoi në nxjerrjen e Macintosh-it të Apple, filmit Toy Story të Pixar-it dhe iPhone-it, duke frymëzuar miliona njerëz të ndjekin vizionin e tij për të ardhmen: Think Different  (Mendo ndryshe).

Por si ia doli Jobs? Si arriti ai të revolucionarizonte teknologjinë jo një herë, por vazhdimisht?

Për ta zbuluar, vizitova ekipet inxhinierike në selinë e Apple në Cupertino, Kaliforni. Duke shëtitur me kureshtje nëpër zyrat e tyre të ndritshme, i pyes nëse mund të ndajnë sekretin e Jobs-it për risinë. Ata qeshin. Më thonë se Apple e ka humbur atë sekret. Nëse dua ta gjej, duhet të lexoj një biografi të Jobs-it. Më e dobishmja, thonë ata, është ajo e Walter Isaacson-it.

Duke lënë pas Cupertino-n, zhytem në biografinë e Isaacson-it. Ajo është e pasur me anekdota të jashtëzakonshme. Por teza e saj qendrore është e kundërta e asaj që prisja. Sipas Isaacson-it, Jobs nuk ishte vetë i jashtëzakonshëm. Ai ishte një “rregullues”, një njeri që bënte modifikime të vogla në idetë e mëdha të të tjerëve. Nuk kishte asgjë plotësisht shpikëse tek ai.

Kthehem në Apple, i hutuar. A është e vërtetë që Jobs nuk ishte novator? Inxhinierët tundin kokën. Jo, Jobs ishte vërtet novator. Uniciteti e tij është i dukshëm në gjithë historitë që Isaacson ka mbledhur. Por disi, vetë Isaacson nuk arriti ta shohë këtë përjashtim që ndodhej në faqet që kishte shkruar vetë. Çfarë shkoi keq? Çfarë nuk pa Isaacson që pa Jobs?

Zgjidhja e këtij misteri shfaqet herët në biografinë e Isaacson-it, në një nga historitë më të veçanta të saj. Historia fillon kur Isaacson e pyet Jobs-in se si u shndërrua nga një djalë i zakonshëm periferie në një nxitës të ndryshimit. Jobs përgjigjet duke ia atribuuar këtë përvojës së tij adoleshente me veprën e William Shakespeare-it, Mbreti Lir. Isaacson, natyrshëm, bëhet kureshtar: “E pyeta Jobs-in pse e ndiente lidhjen me Mbretin Lir… por ai nuk iu përgjigj asaj lidhjeje që po përpiqesha të bëja, ndaj e lashë me kaq.”

Le të mos e lëmë me kaq. Le ta marrim aty ku e la Isaacson dhe të shqyrtojmë pse Jobs e lidhi veten me Shekspirin në një mënyrë të ndryshme nga ai.

Duke e pyetur Jobs-in pse “e ndiente lidhjen” me Mbretin Lir, Isaacson zbulon se vetë ai e lexon Shekspirin si një burim personazhesh të afërt me ne, njerëz me të cilët kemi diçka të përbashkët. Kjo mënyrë leximi nuk është e pazakontë; është ajo që mësojmë në shkollë. Arsimi e trajton letërsinë përmes logjikës, dhe logjika ka një mjet të veçantë për ta analizuar atë: interpretimin.

Interpretimi e trajton letërsinë si një grup simbolesh, ose më saktë, përfaqësimesh. Kjo sepse logjika mendon me ekuacione, që do të thotë me identitete; dhe gjithashtu mendon në abstraksione, që do të thotë në përbashkësi. Kur i bashkon identitetet dhe përbashkësitë, përfundon me personazhe universale: heroi, fajtori, shakaxhiu, ndihmësi, novatori.

Kjo është arsyeja pse Isaacson e etiketoi Mbretin Lir si një arketip të njeriut këmbëngulës që sfidon gjithçka, dhe më pas e pyeti Jobs-in se si lidhej ai me këtë arketip. Por kur e hasim Mbretin Lir jashtë klasës, e lexojmë ndryshe. Në vend që ta analizojmë për lloje konvencionale personalitetesh, na godet origjinaliteti i tij i egër. Siç thoshte një tjetër hero i Jobs-it, Vincent van Gogh: “O Zot, ç’bukuri është Shekspiri! Por natyrisht, ta lexosh Shekspirin mund të të bëjë tronditës për të tjerët dhe, pa dashur, të ofendosh shoqërinë me jokonvencionalitetin tënd.”

Jokonvencionaliteti është rruga e Lirit. Ai nuk është si asnjë mbret, apo si asnjë njeri tjetër, që kemi parë ndonjëherë. E njëjta gjë vlen për personazhet e tjera të veprës: ata janë individualë, befasues, të paprecedentë. Dhe ndërsa drama përparon, ata përkushtohen gjithnjë e më shumë në veçantitë e tyre, derisa e çajnë botën përreth, e përkulin realitetin dhe zbulojnë fuqinë novatore të përjashtimit. Kjo është e kundërta e logjikës: ajo është prirja drejt unicitetit, jo drejt përbashkësisë; forcimi i asaj që është e veçantë, jo rikthimi tek ajo që është universale.

Si Van Gogh-u, edhe Jobs-i e kishte hasur Shekspirin jashtë klasës. Ai nuk e lexoi për një test gjimnazi, por nga kureshtja personale; ndaj, në vend që të identifikohej me Lirin, ai zhvilloi syrin për anomalitë. Kur Jobs shikonte me atë sy, rezultati ishte ajo që kolegët e tij në Apple e quanin “fusha e shtrembërimit të realitetit.” Brenda kësaj fushe, rregullat e vjetra të jetës pezulloheshin, ndërsa Jobs shtynte para një përjashtim, derisa ai bëhej rregulli i ri.

Ka dhjetëra histori për mënyrën se si Jobs e bënte këtë. Ja një që e dëgjova nga inxhinierët në Cupertino. Në vitin 2005, Jobs bashkëpunoi me Motorola-n për telefonin ROKR, një aparat i thjeshtë që mund të shkarkonte njëqind këngë nga iTunes. ROKR dështoi keq. U shitën shumë pak, dhe ata që u shitën, performuan dobët: një telefon i vjetruar që luante një katalog të vogël muzike me altoparlant të dobët. Të dhënat e shitjeve thoshin: braktise projektin. Jobs bëri të kundërtën: ai dyfishoi vëmendjen ndaj asaj që ishte origjinale te ROKR. Ndërsa konkurrentët talleshin me idenë e një telefoni “jukebox”, Jobs e shtyu Apple-in të krijonte iPhone-in.

Ajo që Isaacson e quajti “rregullim” ishte në të vërtetë aftësia e Jobs-it për të identifikuar potencialin e jashtëzakonshëm në pajisje të caktuara. Tek to, ai shihte të njëjtin singularitet që kishte parë te Mbreti Lir. Dhe ashtu si Shekspiri e shtynte Lirin drejt individualitetit ekstrem, edhe Jobs-i e bënte çdo pajisje më shumë vetvetja, duke shmangur kompromisin e përgjithshëm për të theksuar përjashtimin.

Inxhinierët në Cupertino më thonë se Apple e ka harruar këtë metodë imagjinare. Në vend që të përshpejtojë të veçantën, udhëheqja e kompanisë po bën si Isaacson-i, po mendon në mënyrë logjike. Logjika zbulon modele dhe i përmirëson ato, duke ngatërruar përsëritjen me risinë. Në rastin e Apple-it, këto përsëritje kanë qenë televizioni prestigjioz, realiteti virtual me kufje dhe inteligjenca artificiale gjenerative. Të gjitha janë shpallur si revolucionare. Por të gjitha kanë qenë probabilistike, dhe për pasojë, të parashikueshme. Prandaj nuk kanë arritur të “thyejnë realitetin” si mbreti Lir.

Megjithatë, mund të rizbulosh atë që Jobs mësoi nga Shekspiri, dhe të rikthesh gjeniun e risisë së pandërprerë. Për një udhëzues të plotë, mund të lexosh librin tim Primal Intelligence, por si fillim i shpejtë, hidh sytë përreth për diçka (apo dikë) të çuditshme, të parregullt, anormale. Pastaj, në vend që ta interpretosh logjikisht siç të kanë mësuar në shkollë, shikoje me sytë e Van Gogh-ut. Thekso jokonvencionalen. Trondit Silicon Valley-n. Mendo ndryshe. /Big Think - Syri.net