Bardhi: Rama s'do të ketë kohë të bëjë llogaritë e burgut të Veliajt, sepse duhet të bëj llogaritë e burgut të tij
Në një postim në rrjetet sociale, Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, u shpreh se në vend që të mbajë përgjegjësi për shkeljen flagrante të Kushtetutës, Edi Rama zgjedh të “bëjë cirk me shqiptarët”. Sipas Bardhit, abuzimi i pushtetit këtë herë ka qenë aq i madh, “sa edhe Belinda Balluku të ishte klonuar tetë herë në Gjykatën Kushtetuese, nuk do t’i kishte bërë dot derman”.
Në reagimin e tij, Bardhi e konsideron shpalljen si antikushtetuese të vendimit të Edi Ramës dhe Bajram Begajt në raport me Bashkinë e Tiranës “jo si triumf të shtetit ligjor, por si turp të një pushteti që sfidon çdo ditë shqiptarët dhe ligjin”. Ai akuzon kryeministrin për përpjekje për pazar politik me Erion Veliajn dhe thekson se, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, “Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në burg për paligjshmëritë dhe korrupsionin”.
Bardhi shton se planet e Ramës “për të grabitur çdo pushtet” kanë marrë “shuplakën e parë në fytyrë”, ndërsa kujton se dosja e inceneratorit të Tiranës në SPAK “mbetet e hapur” dhe se hetimet në atë çështje “mund ta çojnë vetë Ramën përballë drejtësisë”.
Postimi:
Në vend që të mbajë përgjegjësi për shkeljen flagrante të Kushtetutës, Edi Rama zgjedh të bëjë cirk me shqiptarët. Abuzimi i pushtetit këtë herë ishte aq i madh, sa, edhe Belinda Balluku të ishte klonuar 8 herë në Gjykatën Kushtetuese nuk do t’i kishte bërë dot derman.
Shpallja si antikueshtues e vendimit të Edi Ramës dhe Bajram Begajt në raport me Bashkinë e Tiranës nuk është triumf i shtetit ligjor. Është turpi i një pushteti që sfidon çdo ditë ditë shqiptarët dhe ligjin në mënyrë flagrante.
Pasi urdhëroi shkarkimin e tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste; pasi vendosi shkarkimin e tij nga detyra dhe detyroi Bajram Begajn të caktojë datën e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë, në një përpjekje të dëshpëruar për pazar politik me Erion Veliaj, pa marrë asnjë përgjegjësi për shkeljen flagrante të Kushtetutës, Edi Rama kërkoi sot lirimin e Veliajt nga qelia.
Përgjigjen për kërkesën e tij, Edi Rama e ka marrë po nga Gjykata Kushtetuese, e cila në njoftimin e saj u kujdes të theksonte se "shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, PRA JO ME PROCESIN PENAL NË NGARKIM TË TIJ".
Kështu që Erion Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në burg për paligjshmëritë, korrupsionin dhe abuzimin me detyrën, ndërkohë që planet e Edi Ramës për të grabitur çdo pushtet, njësoj siç grabiti zgjedhjet e 11 majit, morën shuplakën e parë fytyrës.
Sa për Tiranën, më mirë jetim sesa me kujdestarë abuzues që e vjedhin, e plaçkisin dhe e shpërfytyrojnë çdo ditë. Dhe një kujtesë: Në SPAK, ndonëse e zvarritur, është ende e hapur dosja e incineratorit të Tiranës për procedurën ku Edi Rama del garant për qindra milionë euro që janë zhdukur nga korrupsioni. Kur të hetohet ajo dosje, atëherë Edi Rama s’do të ketë me kohë të bëjë llogaritë e burgut të Erion Veliajt, sepse duhet të bëjë llogaritë e burgut të tij!