David Beckham nderohet zyrtarisht me titullin “Sir” nga Mbreti Charles

David Beckham ka marrë zyrtarisht titullin “Sir” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në futboll dhe në shoqërinë britanike. Ish-kapiteni i Anglisë, 50 vjeç, u nderua të martën në një ceremoni në Berkshire, pasi u përfshi më herët këtë vit në listën e nderimeve të Ditëlindjes së Mbretit Charles.

“Nuk mund të isha më krenar,” – tha Beckham. “Të gjithë e dinë sa patriot jam. E dua vendin tim dhe gjithmonë kam thënë se monarkia ka një rëndësi të madhe për familjen time. Kam udhëtuar anembanë botës dhe njerëzit gjithmonë më flasin për monarkinë tonë, kjo më bën të ndihem krenar.”

Në ceremoninë në Windsor Castle, Beckham ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Victoria, dhe prindërit e tij, Sandra dhe David. Victoria, e nderuar vetë me OBE në vitin 2017 për kontributin në industrinë e modës, kishte dizajnuar kostumin që Beckham veshi për këtë rast të veçantë.

Mbreti Charles, sipas Beckham, u impresionua nga veshja: “Ai është njeriu më elegant që njoh dhe ka frymëzuar shumë prej pamjeve të mia ndër vite. Edhe këtë herë ishte frymëzim.”

Beckham luajti 115 ndeshje me Anglinë dhe ishte kapiten për gjashtë vite (2000–2006). Ai spikati me Manchester United, ku u rrit nga akademia, përpara se të luante me Real Madrid, LA Galaxy, AC Milan dhe të mbyllte karrierën te Paris Saint-Germain në vitin 2013.

Por ndikimi i tij ka kaluar kufijtë e futbollit. Beckham luajti rol të rëndësishëm në sigururimin e Lojërave Olimpike të Londrës 2012, ka bashkëpunuar me UNICEF që prej vitit 2005 dhe në vitin 2024 u bë ambasador i King's Foundation, duke mbështetur programet edukative të monarkisë.

Sot, ai është bashkëpronar i Salford City-t dhe i Inter Miami-t në MLS, duke vazhduar të mbetet një figurë qendrore e sportit dhe kulturës britanike.