Konjufca pas mandatimit për kryeministër: Synimi është shmangia e zgjedhjeve dhe miratimi i buxhetit

Pas marrjes së mandatit për formimin e qeverisë së re, Glauk Konjufca, deklaroi se qëllimi kryesor i këtij procesi është shmangia e zgjedhjeve të menjëhershme dhe sigurimi që vendi ta ketë buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike. Ideja ka qenë e thjeshtë, ta krijojmë një qeveri të re për të shmangur dy gjëra: zgjedhjet e menjëhershme dhe për të mundësuar që Kosova ta ketë buxhetin e saj,” tha Konjufca, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Ai theksoi se pranoi propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të qenë mandatar, duke shtuar se tani mbetet të shihet veprimi i Presidentes së Republikës në lidhje me këtë mandatim.

LEXO EDHE: Kurti mandaton Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë: Unë marr vendin e tij e ai timin

“Nuk e di teknikisht nëse ka shkuar ende te Presidentja, por kjo pritet të ndodhë. Kjo nuk pritet vetëm nga VV, por edhe nga shumica e qytetarëve të Kosovës,” theksoi ai.

Konjufca paralajmëroi se nëse nuk arrihet të shmangen zgjedhjet, vendi rrezikon të shkojë në pesë palë zgjedhje brenda një viti, me një kosto prej rreth 40 milionë eurosh.

“Kur të arrijmë në momentin e zgjedhjes së presidentit, nuk është e sigurt që një parlament i mundshëm do ta zgjidhë këtë çështje. Prapë mund të kemi zgjedhje. Për ta shmangur këtë, maturia shtetërore është që ta kemi të paktën një qeveri funksionale,” deklaroi ai.

Konjufca u bëri thirrje të gjitha forcave politike për konsensus, duke theksuar se bashkëpunimi është i domosdoshëm për dy qëllime kryesore: Shmangien e zgjedhjeve në dhjetor dhe miratimin e buxhetit të Kosovës