SYRI TV/ Dhjetra banorë të Krujës në protestë te Apeli, banorë: Kemi blerë shtëpitë, nuk po i gëzojmë
Dhjetra banorë nga Kruja ankohen për vonesat e gjyqeve, pasi prej vitesh nuk po arrijnë të përfitojnë shtëpitë e tyre, të cilat i kanë blerë në një pallat në këtë qytet. Banorët thonë se mosmarrëveshjet me ndërtuesin kanë filluar prej vitesh, ndërsa këtë problematikë e kanë dërguar në gjykatë. Shkalla e parë i ka dhënë të drejtë banorëve, por Apeli i Përgjithshëm po e zvarrit çështjen për më shumë se dy vjet. Njëri prej banorëve shprehet se situata e krijuar po i çon drejt vetëgjyqësisë me ndërtuesin e pallatit dhe trashëgimtarët e tij.
21 familje nga Kruja kanë protestuar këtë të martë para Gjykatës së Apelit për shpejtimin e një procesi gjyqësor që ka shkuar në këtë gjykatë që në vitin 2023, pasi e kanë fituar shkallën e parë në Gjykatën e Krujës. Familjet kanë blerë që në vitin 2008 apartamente dhe dyqane në një kompleks, me kontrata porosie. Por ndërtuesi me të cilin banorët kanë bërë marrëveshjen ka shitur lejen. Ndërtuesi tjetër që ka blerë lejen nuk i ka njohur marrëveshjet dhe nuk ka zgjedhur rrugën e hipotekimit të pallatit, por atë të legalizimit, për të shmangur posedimin e pronarëve nga blerësit. Banorët thonë se prej vitesh nuk po gjejnë drejtësi dhe nuk po gëzojnë pronat e tyre.
Ata thanë se do të kërkojnë një takim me kryetaren e Gjykatës së Apelit, pasi shprehën se besimi i tyre tek institucionet e tjera të shtetit është zero, pasi problematikat janë shkaktuar nga institucionet përgjegjëse.