Progres-Raporti për Shqipërinë/ BE: Vrasja e gjyqtarit, pasojë e sulmeve personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve

Infrastruktura dhe siguria në sistemin e drejtësisë mbetet një problem themelor, për eficencën në gjyqësor, një shqetësim që është ngritur edhe në progres-raportin e publikuar këtë të martë, 4 nëntor nga Komisioni Evropian.

Sipas progres-raportit, pavarësisht se janë vënë në dispozicion ambientet e nevojshme për Gjykatën e Apelit, cilësia e infrastrukturës gjyqësore mbetet përgjithësisht e dobët.

‘Kjo ka çuar në mbingarkesë dhe në vazhdimin e praktikës jo-transparente të zhvillimit të seancave në zyrat e gjyqtarëve. Nuk është bërë përparim në sigurimin e standardeve të duhura të sigurisë për gjyqtarët dhe prokurorët’, thuhet në progres-raport.

Në raportin prej mbi 90 faqe, sillet në vëmendje edhe ngjarja e rëndë e 4 tetorit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit.

Kjo sipas raportit, thekson edhe një herë shqetësimet lidhur me pamjaftueshmërinë e infrastrukturës gjyqësore, si dhe me sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke nënvizuar nevojën për masa për garantimin e sigurisë së magjistratëve.

‘Ngjarja tragjike e vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës gjatë një seance gjyqësore ka theksuar edhe një herë shqetësimet lidhur me pamjaftueshmërinë e infrastrukturës gjyqësore, si dhe me sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke nënvizuar nevojën për masa për garantimin e sigurisë së magjistratëve’.

Kritik, raporti është mbi mënyrën se si prokurorët e posaçëm, lidhur me transprarencën  e marrjeve në pyetje.

Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve, mbetet e nën-shfrytëzuar në praktikë, citon raport-progresi, duke shtuar se referimet për ndërmjetësim mbeten të kufizuara.

‘Përpjekjet për të siguruar informacion të konsoliduar mbi mundësinë e përdorimit të ndërmjetësimit dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit duhet të vazhdojnë më tej’.

Progres-raporti ndalet edhe në efikasitetin e sistemit të drejtësisë, një faktor kyç për integrimin e Shqipërinë në BE, ku për Komisionin Evropian, ai mbetet i kufizuar.

‘Efikasiteti vazhdon të pengohet nga zgjatja e tepërt e procedurave gjyqësore dhe nga një stok i madh çështjesh të prapambetura, veçanërisht në nivelin e gjykatës së apelit.
Publikimi i vendimeve përfundimtare vazhdon të tejkalojë afatet ligjore, dhe vonesa serioze shkaktohen nga menaxhimi i pamjaftueshëm i seancave gjyqësore dhe nga mungesat e shpeshta të avokatëve mbrojtës. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një “plan efikasiteti”, por duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, përfshirë rishikimin e legjislacionit në përputhje me parimet e përgjithshme të reformës në drejtësi dhe me standardet evropiane’.

Sipas Komisionit Evropian, nevojiten përpjekje të konsiderueshme për përmirësimin e digjitalizimit të sistemit gjyqësor.

‘Megjithatë, mungesa e fondeve për ta shtrirë këtë sistem në të gjitha gjykatat, veçanërisht në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit, po kufizon potencialin e tij të plotë për përmirësimin e aksesit në drejtësi’, citohet në progres-raport.