KLSH zbulon skandalin e radhës/ Rama me taksat e qytetarëve pagoi detyrimet e klientëve të preferuar, plot 40.5 miliardë lekë
Raporti i auditimit i Kontrollit të Lartë të Shtetit prezantuar sot nga drejtuesi i këtij institucioni, Arben Shehu në Komisionin e përbashkët për Nismat Qytetare dhe në Komisionin e Ekonomisë zbulon një sërë gjetjesh skandaloze lidhur me menaxhimin e buxhetit të shtetit.
Njëra prej tyre lidhet me garancitë shtetërore. Raporti zbulon se një pjesë e konsiderueshme e subjekteve përfituese, sidomos në sektorin strategjik të energjisë dhe ujësjellësve, nuk po shlyejnë kreditë e garantuara nga shteti.
Si pasojë, buxheti i shtetit është detyruar të ndërhyjë duke paguar shuma marramendëse për të mbuluar paaftësinë e tyre paguese duke rritur rrezikun fiskal dhe ekspozimin e buxhetit të shtetit.
Vetëm në vitin 2024, janë paguar 40.5 miliardë lekë nga taksat e qytetarëve për të shlyer borxhet e të tjerëve.
Kjo situatë ka rritur ndjeshëm ekspozimin fiskal të vendit. Për më tepër, agjencia e posaçme e ngritur për të menaxhuar dhe rikuperuar këto kredi të këqija ka rezultuar plotësisht inefektive, duke dështuar të zbatojë masa ligjore dhe administrative për kthimin e parave në buxhet. Kjo dëshmon për një dështim të plotë të mekanizmave kontrollues, duke e lënë buxhetin të pambrojtur përballë borxheve të këqija.
Fjala e kreut të KLSH Arben Shehu në Komision
Fondi i kontigjencës dhe fondi rezervë nuk janë përdorur plotësisht sipas qëllimeve për të cilat ato krijohen, por për mbulim të shpenzimeve të cilat kanë qenë të parashikueshme.
Në fazën e zbatimit të buxhetit u konstatuan problematika në regjistrimin e shpenzimeve në sistemin e thesarit, jo në përputhje me rregullat e disiplinës fiskale.
Konkretisht, u konstatuan regjistrime të kontratave përtej afatit ligjor pesëditor, vonesa përtej afatit ligjor 30 ditor në dorëzimin e faturave në thesar, kryerja e pagesave pjesore të faturave dhe të tjerë.
Gjithashtu janë konstatuar klasifikime të gabuara ndërmjet zërave të shpenzimeve korrente dhe atyre për investime, si në rastin e projekteve të financuara nga fondi i rindërtimit apo të projekteve me financim të huaj.
Deficiti buxhetor ka qenë i projektuar në një nivel më të lartë dhe është rishikuar në ulje me akte normative për shkak të pritshmërisë në rritjen e të ardhurave dhe pritshmëritë në ulje për dispozim, për disbursimet nga huamarrja e huaj.
Ndërkohë, realizimi i deficitit vetëm në muajin dhjetor është kushtëzuar nga përqëndrimi i shpenzimeve në këtë muaj, ku janë kryer 21% të totalit vjetor.
Gjithashtu, në këtë rezultat kanë ndikuar dhe disa trajtime të paunifikuara kontabël, si të ardhurat e transfertës nga shpronësimet dhe transferimi i rezultatit financiar të ISSh-së.
Gjatë vitit 2024, të nderuar deputetë, në lidhje me nënhuash, garancitë shtetërore dhe kreditë e tjera, auditimi konstatoi se të drejtat e shtetit për t'u arkëtuar ndaj përfituesve, kryesisht në sektorin e energjisë, ujësjellës-kanalizimeve dhe njësive të qeverisjes vendore, vijuan të rriten, pasi një pjesë e konsiderueshme e subjekteve nuk kanë respektuar kushtet kontraktuale të shlyerjes dhe nuk kanë ndërmarrë masa efektive për rikthimin e detyrimeve.
Si pasojë, janë kryer pagesa nga buxheti i shtetit për të mbuluar paaftësinë paguese të përfituesve nëpërmjet garancive buxhetore, duke rritur ekspozimin fiskal.
Pavarësisht krijimit të agjencisë së menaxhimit të garancive dhe kredive të pashlyera, mangësitë në ndjekjen administrative dhe ligjore, mungesa e një metodologjie të unifikuar për monitorimin e marrëveshjeve të nënhuas, vonesat në rakordime, si dhe mungesat e mekanizmave efektivë të sigurimit, kolateralit dhe sanksioneve të zbatueshme në kohë, nuk kanë mundësuar rikuperimin e këtyre detyrimeve.
Kështu përgjatë vitit 2024 janë paguar nga buxheti i shtetit 40.5 miliardë lekë principal dhe interes për llogari të kredisë dhe garancisë shtetërore.
Sa i përket likuiditetit, megjithëse gjendja për vitin 2024 rezultoi brenda kufirit të miratuar, me përfshirjen dhe të llogarive speciale, ky limit tejkalohet me rreth 25.1 miliardë lekë.
Përgjatë vitit u shënuan mbajtje të tepricave të larta të likuiditetit, humbje nga kursi i këmbimit dhe nga investimet në depozitë, kufizime të instrumentave operacionalë të disponueshëm, mungesa e njoftimeve nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme.