Progres-raporti për Shqipërinë/ BE nxin Ramën: Ka ushtruar presion ndaj drejtësisë, s’zbatohen vendimet e GJK!

Komisioni Evropian i ka dhënë një shuplakë të fortë qeverisë shqiptare nën drejtimin e kreut të saj, Edi Rama, teksa ka publikuar progres-raportin për vendin tonë, në kuadër të procesit të zgjerimit të BE, ku Shqipëria është vend kandidat.

Në disa prej konstatimeve të progres-raportit, BE është tejet kritike mbi ndërhyrjet e qeverisë në gjyqësor, që sipas saj përbëjnë shqetësime serioze, veçanërisht 'reagimet e paprecedentë publike dhe përpjekjet për të ushtruar presion nga degët ekzekutive dhe legjislative kundër Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë'.

Me tone të ashpra, progres-raporti flet edhe për Parlamentin, që sipas Komisionit Evropian, nuk arriti të zbatojë disa vendime të Gjykatës Kushtetuese brenda afatit të caktuar.

‘Në një opinion mbi këtë çështje, Komisioni i Venecias konfirmoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese ishin të detyrueshme për të gjitha organet shtetërore, përfshirë Parlamentin. Parlamenti ende nuk e ka ndjekur këtë opinion të Komisionit të Venecias’, thuhet në progres-raport.

Problem BE-ja sheh pasigurinë ligjore, lidhur me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja dhe Holta Zaçaj.

'Pasiguria ligjore mbeti në lidhje me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të interpretimeve të ndryshme të dispozitave përkatëse nga Parlamenti dhe Gjykata e Lartë, përkatësisht. Pavarësisht mbrojtjeve të forta ligjore, emërimet dhe zhvillimi i karrierës në bazë të meritës dobësohen në praktikë nga ritmi i ngadaltë i vlerësimeve cilësore të magjistratëve nga KLP dhe KLGJ dhe përdorimi i vazhdueshëm i transferimeve si një alternativë ndaj promovimeve në bazë të meritës', shkruhet në raport.

Shqetësues për BE-në, mbetet fakti mbi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për dorëheqjet apo rastet e shkarkimeve nga puna në administratat vendore.

‘Vala e dorëheqjeve dhe në disa raste e shkarkimeve nga puna në administratat vendore që ndodhi në korrik 2025 pas kërkesës publike të qeverisë qendrore për ndryshime në menaxhim në bashki ngre shqetësime, duke përfshirë edhe në dritën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore’, citohet më tej në progres-raport.