KLSH: Shqipëria 7.3 mld lekë detyrime gjyqësore dhe 18 mln euro rrezik nga vendimet e Strasburgut
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, ka bërë publike disa të dhëna shqetësuese financiare të dala nga kontrollet audituese të institucionit, gjatë raportimit në Komisionin e përbashkët për Nismat Qytetare dhe në Komisionin e Ekonomisë.
Shehu u ndal te stoku i detyrimeve të prapambetura që lidhen me çështjet gjyqësore, duke bërë të ditur se deri në fund të vitit 2024 ky stok arrin në 7.32 miliardë lekë.
Sipas tij, detyrimet faktike dhe kontingjente që burojnë nga vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë raportuar në vlerën e 18 milionë eurove, të cilat lidhen me 10 vendime që ndodhen aktualisht në proces brenda afatit tre mujor. Këto, sipas Shehut, rrezikojnë pagesa shtesë interesi për shkak të likuidimit të vonuar.
Kreu i KLSH vuri në dukje se në kontratat koncesionare me mbështetje buxhetore janë konstatuar mospërputhje në plan–pagesa dhe raportime, si edhe financim i fragmentuar jashtë programeve përkatëse. Ai shtoi se është vënë re monitorim i pamjaftueshëm për pagesat dhe vëllimet e parealizuara, si edhe mungesë raportimi vjetor të performancës së projekteve.
Në aspektin e kontabilitetit dhe raportimit fiskal, Shehu theksoi se, pavarësisht detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 63 të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, pasqyrat e konsoliduara vjetore të transaksioneve financiare të shtetit për vitin 2024 nuk janë hartuar dhe dorëzuar, duke e bërë të pamundur dhënien e një opinioni auditues financiar mbi to.
Nga auditimet financiare individuale të kryera nga KLSH janë konstatuar mangësi në formën dhe afatet e përgatitjes së pasqyrave financiare, si edhe klasifikime të gabuara në disa pozicione të tyre.
Mes të tjerash, Shehu paralajmëroi se risqet fiskale mbeten të larta, për shkak të ekspozimit të rritur ndaj ndërmarrjeve publike, veçanërisht në sektorin e energjisë, ku janë evidentuar detyrime të ndërsjella të pashlyera dhe të pararregulluara.
Ai përmbylli raportimin duke nënvizuar se stoku i detyrimeve të prapambetura për çështjet gjyqësore kontingjente mbetet i lartë, ndërsa theksoi nevojën për më shumë transparencë dhe kontroll në administrimin e fondeve publike dhe në kontratat koncesionare.