Vjedhjet dhe korrupsioni i pandalur, Blushi: Rama mbijeton sepse drejtësia nuk funksionon
I ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, Sekretari i Përgjithshëm I Partisë së Lirisë Tedi Blushi shtjellon argumentin e tij qendror se pushteti i Edi Ramës mbahet në këmbë ekskluzivisht nga një sistem drejtësie jo-funksional. 'Nëse do kishim një drejtësi të pavarur, Edi Rama nuk do ishte më kryeministër,' deklaroi ai.
Për të mbështetur këtë tezë, Blushi listoi një sërë aferash të mëdha korruptive, duke filluar nga bllokimi i 112 milionë eurove të fondeve IPARD, të cilat sipas tij përfunduan tek inceneratorët dhe grupet kriminale, e deri te firma e vetë kryeministrit në vendimin që i dha 8% bonus kompanisë fantazmë të inceneratorëve.
Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri, ai theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara në kontinent dhe se kjo gjendje e degraduar nuk vjen nga forca e Ramës, por nga mungesa totale e llogaridhënies. Sipas tij, gjakderdhja financiare do të ishte ndalur nëse drejtësia do të vepronte, duke sjellë si shembull kostot abuzive të ndërtimit të rrugëve, të cilat vijojnë pavarësisht arrestimeve të bujshme.
Tedi Blushi: Kur çdo shqiptar duhet ta dijë që në fakt rrugën në të vërtetë e ndërton supervizori, sepse ai është ai që merret si me trashësinë e asfaltit, si me cilësinë...
Flavio Qarri: Ai është shteti që garanton.
Tedi Blushi: Supervizori garanton, ai e shtron rrugën në thelb, sepse ai garanton që taksat e shqiptarëve apo jo, pra, do të shkojnë për një rrugë me standarde. Jam nisur sot në orën 8:00 të mëngjesit për të ardhur në studion tuaj me një orë e gjysmë. Kur, në rast se, në një segment rrugor i cili ju ka kushtuar apo jo, taksapaguesve shqiptarë 20 milionë euro kilometri.
Flavio Qarri: 24, të lutem.
Tedi Blushi: Po, po, e, rrumbullakosim, 20 milionë euro. Dhe për 20 milionë euro, qytetarët e Tiranës apo jo, detyrohen që nga, në një distancë jo më larg se, nuk e di, sa kilometra, 10 kilometra apo jo, një orë e gjysmë për të mbërritur në studion tuaj dhe imagjinoni se çfarë ndodh me këtë qytet ku hidhen miliona e miliona euro për të ndërtuar unazën e madhe apo ku e di unë një infrastrukturë moderne, dhe ku sot apo jo, vonohemi më shumë sesa kur nuk kishim këto rrugë.
Sikundër ka ndodhur apo, sikundër ndodh me këtë rrugën e re që u ndërtua, që edhe kjo një pjesë është shembur, Qukës-Qafë Plloçë apo jo, shkon tani më vonë në Korçë me rrugën e re sesa mund të shkoje me rrugën e vjetër. Pra, në rast se do të kishim një sistem funksional drejtësie, gjakderdhja financiare do të ishte e para që duhet të ishte frenuar. Se ç'vlerë ka që Erion Veliaj u fut në burg, kur inceneratori, afera e inceneratorit vijon, apo kur skemat 5D ende vijojnë? Ç'vlerë ka në rast se sot arrestohet Belinda Balluku, kur afera e tigrave të Bangladeshit ende do vijojë dhe kur rrugët do vijojnë të ndërtohen gjashtë, shtatë apo tetëfish, në raport me vlerën e rrugëve që ndërtohen në vende të Bashkimit Europian.
Pra, gjithçka, pra fuqia e vetme e Edi Ramës, në fakt, nuk qëndron tek merita e tij politike, tek programi, sepse nuk ka program fare, i vetmi program i tij është vjedhja nga mëngjesi në darkë e taksave të shqiptarëve, por te fakti që për fat të keq, ky vend nuk ka një drejtësi një të pavarur që është orientuar vetëm kah interesit publik.