PSG–Bayern, duel gjigantësh në ‘Parc Des Princes’: francezët kërkojnë konfirmimin, gjermanët vijimsinë perfekte

PSG dhe Bayern, kampionët e përjetshëm të kampionateve të tyre, rikthehen në skenën e madhe të Champions League për një përballje që pritet të prodhojë spektakël të vërtetë, teksa të dyja skuadrat mbërrijnë në këtë takim nga pozita e dy klubeve më në formë në Europë.

Forma e momentit dhe atmosfera para ndeshjes

PSG fitoi me dramatizëm ndaj Nice falë një goli në minutën e 94-t, duke ruajtur kreun e Ligue 1 dhe duke e çuar në tetë ndeshje serinë pa humbje në të gjitha garat (pesë fitore dhe tri barazime). Skuadra pariziene ka fituar dy nga tri ndeshjet e para në Champions, mes tyre një triumf spektakolar 7-2 ndaj Bayer Leverkusen-it.

Një tjetër fitore sot do të shënonte serinë më të gjatë të sukseseve të PSG-së në historinë e Champions-it, me gjashtë fitore radhazi, ndonëse statistikat flasin kundër tyre: në katër edicionet e fundit, PSG nuk e ka fituar kurrë ndeshjen e katërt të fazës së grupeve/ligës (dy barazime dhe dy humbje).

Bayern, nga ana tjetër, po ecën pa frena. Bavarezët fituan 3-0 ndaj Leverkusen-it në kampionat, duke regjistruar fitoren e nëntë radhazi në Bundesligë, ndërsa në Europë kanë treguar forcë absolute me tri fitore bindëse kundër Chelsea-t, Pafosit dhe Club Brugge-s. Në total këtë sezon, Bayern ka fituar 15 ndeshje nga 15 të mundshme. Megjithatë, ekipi gjerman nuk ka fituar asnjë nga pesë takimet e fundit në Champions kundër kampionëve në fuqi të kompeticionit (një barazim dhe katër humbje).

Duel me histori dhe statistika interesante

Bayern ka fituar katër përballjet e fundit direkte në Champions pa pësuar gol, por PSG triumfoi pa pësuar (2-0) në ndeshjen mes tyrë në Kupën e Botës për Klube, këtë verë. Gjermanët kanë mposhtur parizienët më shumë se çdo skuadër tjetër në Champions (tetë herë), ndërsa PSG ka gjashtë fitore në këtë duel të madh evropian.

Detaje taktike dhe ‘yjet’ që bëjnë diferencën

PSG vjen me një statistikë të fortë në shtëpi: vetëm një nga gjashtë ndeshjet e këtij sezoni në “Parc des Princes” ka parë të dyja skuadrat të shënojnë, dhe parizienët kanë realizuar në çdo ndeshje pas pushimit. Bayern, ndërkohë, është i pamëshirshëm jashtë fushe, me tre ose më shumë gola të shënuar në shtatë transfertat e fundit dhe me nëntë nga 12 golat në Champions të realizuar në pjesën e parë.

Në aspektin individual, Achraf Hakimi po shkëlqen me kontribut në gola në pesë ndeshjet e fundit të Champions-it (dy gola dhe tri asistime), rekord i barazuar për një mbrojtës në kompeticion. Te Bayern, Nicolas Jackson është një kërcënim i madh në pjesën e dytë, me pesë nga gjashtë golat e tij europianë të shënuar pas minutës së 45-të.

Situata me mungesat

PSG do të duhet të bëjë pa Désiré Doué, ndërsa Bayerni është praktikisht në forcë të plotë dhe nuk raporton mungesa të reja para sfidës.