Zëvendëspresidenti amerikan vizitë 3-ditore në Estoni, Gjeorgji dhe Mal të Zi

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence ka mbërritur në Tallin të dielën, duke filluar kështu një vizitë tre ditore në Estoni, Mal të Zi dhe Gjeorgji.

Pence ka në axhendë takime me kryeministrin estonez dhe zyrtarë të tjerë, me të cilët do të diskutojë çështjet dypalëshe. Ai do të ketë edhe një takim të ndarë me të tre liderët e vendeve të balltikut, presidentin e Estonisë, atë të Letonisë dhe të Lituanisë.

Më pas, në ndalesën në Gjeorgji, zëvendëspresidenti amerikan do takohet me presidentin dhe kryeministrin para se të shtrëngojë duart me presidentin malazez Filip Vujanovic dhe kryeministrin Dushko Markovic, kur të ndalet në Podgoricë të mërkurën.

Të enjten, presidenti gjeorgjian tha se mbështetja amerikane për ushtrinë e vendit, i dërgon një mesazh të fuqishëm Rusisë, duke shtuar se ai pret që çështja të jetë një nga temat kryesore që do të diskutohet gjatë vizitës së Pence në vendin ish-sovjetik.