Juve, pengesa Sporting në ‘Stadium’: Spalletti kërkon tri pikët me Yildiz

Pas vetëm dy pikëve në tri ndeshjet e para, Juventusi i drejtuar nga Luciano Spalletti ka nevojë urgjente për një kthesë në Champions League për t’u ngjitur në renditje. Pas fitores në kampionat ndaj Cremonese-s, bardhezinjtë tani përballen me Sporting Lisbonën, në një duel ku gabimet nuk tolerohen. Barazimet me Borussia Dortmund dhe Villarreal, si dhe humbja ndaj Real Madridit, e kanë vendosur Juven në pozitë të vështirë dhe, nëse faza e grupeve do të mbyllej sot, skuadra nuk do të ishte mes 24 më të mirave. Për këtë arsye, Spalletti synon një reagim të menjëhershëm, duke sjellë qartësi taktike te një grup që deri tani ka bindur pak dhe ka marrë shumë pak pikë.

Pas largimit të Tudor-it, atmosfera te Juventusi duket më pozitive dhe grupi është ringjallur. Tani mbetet që kjo frymë të konfirmohet edhe në Europë. Sporting ka marrë gjashtë pikë në tri ndeshje dhe shquhet për cilësinë mes linjave, por bardhezinjtë kanë të gjitha mundësitë për të ndryshuar kurs.

Mungues në sfidën ndaj Cremoneses, Kenan Yildiz pritet të jetë titullar në “Allianz Stadium”, duke ofruar shpejtësi, teknikë dhe fantazi në sulm. Juventusi ka nevojë për fitore nëse Dusan Vlahovic dhe shokët duan të qëndrojnë në garë për zonën “play-off”, pasi ndryshimi nuk duhet vetëm në lojë, por mbi të gjitha në rezultat.

Historia gjithashtu flet për Juven: në katër ndeshjet e mëparshme me Sportingun, bardhezinjtë nuk kanë humbur asnjëherë. Spalletti beson të ruajë këtë traditë dhe të dërgojë një mesazh të fortë për nisjen e ngjitjes në Champions League.