Punëtori rumun ndërron jetë pas 11 orësh nën rrënojat e Torre dei Conti në Romë
Tragjedi në kryeqytetin italian. Punëtori rumun 66-vjeçar, i cili qëndroi i bllokuar për më shumë se 11 orë nën rrënojat e kullës historike Torre dei Conti, ka ndërruar jetë në spital, pak pasi u shpëtua nga ekipet e emergjencës.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën, më 3 nëntor, rreth orës 11:20, pranë Forumeve Perandorake, në qendër të Romës. Një pjesë e kullës aktualisht në rikonstruksion u shemb papritur, duke zënë poshtë punëtorin rumun dhe duke plagosur një tjetër. Katër punëtorë të tjerë që ndodheshin në pjesën e sipërme të strukturës u shpëtuan në kohë.
Dëshmitarët përshkruan momente paniku. “Dëgjova një zhurmë të fortë suvatash që binin, ngrita kokën dhe pashë një punëtor që binte”, ka rrëfyer një kameriere e një lokali aty pranë.
Rreth orës 13:00 ndodhi një shembje e dytë, që e vështirësoi edhe më shumë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Zjarrfikësit punuan me orë të tëra përmes një dritareje të ngushtë për të arritur tek viktima, ndërsa pjesë të brendshme të kullës vazhdonin të binin.
Punëtori rumun u nxor i gjallë mbrëmjen e vonë, mes duartrokitjeve të ekipit të shpëtimit dhe kolegëve, por gjatë transportit drejt spitalit pësoi arrest kardiak. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte.
Zona përreth Via dei Fori Imperiali dhe Piazza Venezia mbeti e bllokuar për orë të tëra, ndërsa në vendngjarje shkuan kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, dhe ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, të cilët ndoqën nga afër operacionin.
Autoritetet italiane kanë hapur hetim për të përcaktuar shkaqet e shembjes dhe nëse janë respektuar standardet e sigurisë në kantierin e restaurimit.
Torre dei Conti, një monument mesjetar 29 metra i lartë pranë Forumeve Perandorake, është një nga strukturat më të vjetra të kryeqytetit italian dhe pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur të Romës.