Shehaj për GJK: Mbron korrupsionin, po shpëton Veliajn dhe Ramën, la në detyrë një kryetar të arrestuar

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, akuzoi sot Gjykatën Kushtetuese se po vepron në mbrojtje të korrupsionit, pas vendimit që i lejon kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të vijojë detyrën edhe pse ndodhet në burg nën akuzë për korrupsion.

“Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese të thotë se një kryetar bashkie, i arrestuar dhe në burg për korrupsion, duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës,” u shpreh Shehaj gjatë një deklarate për mediat.

Sipas tij, ky vendim synon të krijojë një precedent që mbron politikanët e akuzuar për korrupsion, duke i lejuar ata të qëndrojnë në poste publike.

“Kryeministri Edi Rama kërkon të krijojë një standard ku akuzat apo arrestimet për korrupsion nuk përbëjnë arsye për largim nga detyra. Nëse Edi Rama nuk do që të bëhen zgjedhje në Tiranë, Gjykata Kushtetuese merr vendim në favor të tij,” tha Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia paralajmëroi gjithashtu se ky standard mund të përdoret në të ardhmen për të mbrojtur edhe vetë kryeministrin.

“Sot ky vendim mbron Erion Veliajn e Belinda Ballukun, por nesër mund të përdoret për të mbrojtur Edi Ramën. Rama po i thotë të gjithëve se të jesh në burg me akuzë për korrupsion nuk është arsye për të dhënë dorëheqje,” theksoi ai.

Gjykata Kushtetuese doli sot me vendimin përfundimtar në çështjen e Erion Veliajt, duke i dhënë atij të drejtën të vazhdojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Me 5 vota pro dhe 3 kundër, gjykata rrëzoi vendimin e qeverisë që parashikonte shkarkimin e tij, pas propozimit të bërë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Ky vendim nënkupton gjithashtu se në kryeqytet nuk do të zhvillohen zgjedhje të reja, duke e bërë dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhje të pjesshme të pavlefshëm.