VIDEO/ Këlliçi: Hetimi ndaj Ballukut shkon shumë pranë Edi Ramës, i njëjti prokuror fle mbi 5 vite mbi dosjen e inceneratorëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ishte i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ku komentoi marrjen nën hetim të zv/kryeministres Belinda Balluku për tenderin e tunelit të Llogarasë, ku Balluku akuzohet për favorizim në tendera.

I pyetur nga të pranishmit në studio në lidhje me protestat e PD-së dhe nëse duhej protestuar tek Veliaj dhe tek Rama, Këlliçi u shpreh se, ky propozim është diskutuar edhe gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së PD-së.

‘Ky propozim është hedhur sot, ja po t'ju jap një lajm. Kemi patur një mbledhje kryesie sot që ka zgjatur mbi katër orë Partisë Demokratike, ku është diskutuar mbi aksionin politik që do duhet të ndjekim në këtë rast. Është një rast i paprecedent, komunikimi i akuzës në detyrë i një zv/kryeministre.

Sigurisht kaq afër Ramës nuk kishte shkuar ndonjëherë deri tani prokuroria e posaçme, ku flitet për një tender që është patjetër Belinda Balluku, ekzekutorja e procedurave korruptive, por është drejtpërdrejt i lidhur kryeministri, bazuar edhe në dëshminë e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, që ka qenë personi i parë që ka folur për këtë çështje, po bazuar dhe në të gjitha të dhënat publike dhe në të gjitha...’

 ‘Dhe kaq afër Ramës nuk kishte shkuar ndonjëherë prokuroria e posaçme, siç është rasti i Ballukut ku edhe fotot e takimit në Turqi, që janë zhvilluar pasi është anulluar herën e parë tenderi, dëshmojnë që Balluku aty ka shkuar me Edi Ramën.

Po kaq pranë nuk kishte shkuar se mjafton të shohësh edhe shkrimin e djeshëm të një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit, Baton Haxhiut, që ta fakton që është një aferë, por është një aferë gjeopolitike sipas tij, për të mbajtur marrëdhënie të mirë me Erdoganin, pra përfshiu dhe presidentin e Turqisë.’, u shpreh Këlliçi gjatë bisedës në SYRI TV.

Deputeti i PD-së akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë: ‘E ka bërë Rama pra, e ka bërë Rama.’

Duke sqaruar më tej qëndrimin e tij, deputeti i PD tha: ‘Jo jo jo, dëgjo këtu, duhet ta marrim për koment, pra për të parë se sa afër kemi shkuar, afër kryeministrit ka shkuar Prokuroria e Posaçme. Në këtë rast, unë jam i njëjti...’

Ai theksoi vazhdimësinë e monitorimit ndaj hetimeve të bëra nga SPAK.

‘Që të jemi të qartë. Unë jam i njëjti qëndrim që kam qenë edhe këtu në studion tënde për dy vite me radhë, që jam marrë... Unë jam i njëjti që jam marrë për dy vite me radhë me prokurorin Dritan Premçi, për arsye se ai ka fjetur dhe vijon të flejë mbi aferën korruptive të inceneratorit të Tiranës.

Ta sqarojmë publikun, është i njëjti prokuror që ka dosjen e inceneratorit të Tiranës, mbi të gjitha ka dhe dosjen e dherave, që është një aferë që tejkalon edhe aferën e inceneratorit të Tiranës dhe është një aferë që vijon çdo ditë të marrë lekët e qytetarëve të Tiranës, të godasë edhe qytetarët e Tiranës, këdo që do të blejë një apartament thotë, për shkak të kostove të rritura, dhe është një aferë që drejtohet drejtpërdrejt nga kryeministri. Është i njëjti prokuror, është i njëjti prokuror...’

Ai përmendi punën e prokurorit në rastin aktual.

‘Është i njëjti prokuror që në rastin e dosjes së tunelit, për hir të vërtetës, në gjykimin tim, ka bërë një punë deri tani korrekte, duke marrë parasysh gjithë informacionet që vijnë për shantazhin ndaj tij, kërcënimet që ka marrë ai dhe familjarët e tij.’, u shpreh deputeti i PD-së, Belind Këlliçi në SYRI TV.