Strazimiri: Kushtetuesja nuk pyet për Kushtetutën, është nën urdhrat e Ramës që po e mbyt zullumi i tij
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, i ftuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë në detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajn dhe ndaj mënyrës si, sipas tij, po funksionon drejtësia në Shqipëri.
Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Strazimiri u shpreh se nuk beson se ky vendim është marrë mbi bazën e integritetit profesional të gjyqtarëve, por si rezultat i porosive politike nga qeveria.
‘Qëndrimi im është publik, unë e kam bërë të qartë dhe s’kam asnjë ndryshim nga çfarë kam thënë më përpara. Është tepër vonë të thuash sot që Kushtetuesja mori një vendim bazuar mbi integritetin e saj profesional. Gjykata Kushtetuese në mënyrë të përsëritur ka treguar që në bazë të porosive të qeverisë nuk pyet as për gërmën e kushtetues, jo më për frymën e saj.’
Sipas Strazimirit, vendimi i fundit që duket sikur është kundër qeverisë, në fakt është pjesë e lojës politike të vetë Kryeministrit.
‘Në rastin konkret është një habi, askush nuk e priste, duket sikur Gjykata Kushtetuese ka vënë drejtësi duke i dalë përballë pushtetit. Unë nuk e besoj një gjë të tillë. Mendoj që jemi në rastin kur Edi Ramën po e mbyt zullumi i tij.’
Ai shtoi se të gjitha institucionet shtetërore janë nën urdhrat e Edi Ramës.
‘Kemi institucione shtetërore të gjitha nën urdhërat e një individi që është Edi Rama, të cilin po e mbyt zullumi i tij. Megjithëse institucionet i ka bërë vetë, që nga Presidenti i Republikës, Gjykata Kushtetuese i ka bërë dhe i ka zhbërë vetë në mënyrë të përsëritur në 13 vjet. Ligjet i ka bërë dhe i ka zhbërë vetë po ashtu, përfshirë dhe reformën në drejtësi, pa opozitën. Zullumi është aq i madh sa as ligjet që i ka bërë vetë, qoftë dhe në mënyrë të shtrembër dhe klienteliste, nuk e mbrojnë dot më.’
Duke komentuar rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Strazimiri u shpreh se as ky rast nuk tregon pavarësi të drejtësisë.
‘Në mënyrën më absolute jo. Nuk duket aspak ndryshe. Është pikërisht kjo që ju thashë. Edi Ramën po e mbyt zullumi i tij. Në qoftë se pati luksin ta lajmërojë Arben Ahmetajn në mënyrë që të largohet dhe të mos flasë, me rastin e Ballukut nuk e pati këtë luks.’
Deputeti demokrat akuzoi se edhe kjo çështje është e orkestruar mes palëve.
‘Kjo është e orkestruar, është qartësisht e rregulluar mes palëve. Edi Rama me Ballukun me sa duket janë ende në negociata, në pazar. Ajo është e pashkarkueshme, por e sakrifikueshme si çdo tjetër nga qeverisja. Deri tani Edi Rama po sakrifikon të sakrifikueshmit. Cili do është i sakrifikueshëm në një qeverisje autoritare, përveç të parit, numrit një.’
Strazimiri theksoi se SPAK, nëse ka prova, duhet të kërkojë masa sigurie dhe të ndalojë dëmin në detyrë.
‘Një prokurori që është e bindur që zëvendëskryeministri i vendit e ka bërë një krim në detyrë, nuk mundet dot të mos vendosë asnjë masë sigurie. Të thuash ‘vazhdo detyrën’, kjo është nonsense. Kështu që kjo nuk është pavarësi e gjyqësorit. Në qoftë se ka një gjë që është me regji brutalisht groteske, është pikërisht rasti i Belinda Ballukut.’
Në fund, Strazimiri e krahasoi situatën aktuale me drejtësinë e kohës së komunizmit:
‘Kjo nuk është drejtësi e re. Kjo është drejtësia që kemi pasur 46 vjet. Aranit Çela ishte personi i duhur për Enver Hoxhën sepse të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt, heronjtë e popullit, komandantë të brigadave partizane, një ditë dolën deri poliagjentë në rastin e Mehmet Shehut. Kjo nuk është drejtësi e re, kjo nuk është drejtësi aspak.’