VIDEO/ Momenti kur ‘njeriu me thikë’ që plagosi 11 persona në tren futet në një berberhane, pak pasi sulmoi një 14-vjeçar
Ky është momenti kur një burrë, i cili besohet të jetë autori i sulmit me thikë në trenin e Huntingdon, futet me armë të ftohtë në një berberhane në Peterborough, ndërsa policia po heton nëse ai kishte goditur me thikë një djalë 14-vjeçar vetëm pak minuta më parë.
Anthony Williams, 32 vjeç, nga Peterborough, doli sot para gjykatës së magjistratëve të qytetit, i akuzuar për 11 tentativa vrasjeje në lidhje me një sulm me thikë në një tren të linjës LNER dhe një tjetër incident në lindje të Londrës më 1 nëntor.
Pamjet e sigurisë, të siguruara ekskluzivisht nga Daily Mail, tregojnë një burrë që besohet të jetë Williams teksa hyn në berberhanen Ritzy Barbers në zonën Fletton të Peterborough, të premten mbrëma në orën 19:14, vetëm pak minuta pasi policia ishte njoftuar për plagosjen me thikë të një 14-vjeçari në qendër të qytetit.
Stafi i berberhanes telefonoi policinë pasi ai ishte larguar, por Policia e Cambridgeshire nuk dërgoi oficerë në vendngjarje, duke kërkuar në vend të kësaj që pamjet e kamerave të ngarkoheshin në një portal online.
Berberi Cody Greene, 23 vjeç, i tha Daily Mail se i njëjti burrë u kthye në dyqan sërish në orën 09:25 të mëngjesit të së shtunës, 1 nëntor. Policia u thirr përsëri, por kur mbërritën, ai ishte larguar.
Kjo ndodhi rreth 10 orë para se prokurorët të akuzonin Anthony Williams për sulmin e përgjakshëm në tren, dhe më shumë se 8 orë pasi 32-vjeçari dyshohet se kishte goditur një burrë tjetër me thikë në një stacion të Docklands Light Railway (DLR) në Londër herët po atë mëngjes.
Tani policia ka hapur një hetim për të përcaktuar nëse tre incidentet në Peterborough përpara sulmit në tren janë të lidhura, ndërsa forcat policore po përballen me akuza se mund ta kishin parandaluar masakrën nëse do të kishin vepruar më shpejt.
‘Edhe pse thirra policinë, ndjej faj, sepse mund të ishte parandaluar nëse do të ishte marrë masa në kohë,’ tha Greene.
‘Ata kanë kamera kudo, e dinë si duket ky njeri. Ai ka kaluar përsëri para dyqanit. Sulmi në tren me siguri mund të ishte shmangur.’
Policia e Cambridgeshire tha se është ‘në dijeni’ të incidenteve dhe po rishikon të tjera ngjarje të ndodhura në të njëjtën periudhë, për të kuptuar nëse janë kryer edhe vepra të tjera penale.
Ndërkohë, Ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar premtoi sot se ‘të gjitha pyetjet në lidhje me këtë sulm do të marrin përgjigje.’
Pamjet e siguruara nga Daily Mail tregojnë burrin jashtë berberhanes Ritzy rreth orës 19:14 më 31 tetor. Punonjësit thanë se ai po mërmëriste ‘Ishin policët, ishin policët’ përpara se të përpiqej të hynte brenda dhe të ulej.
Atij i’u kërkua të largohej, por u kthye pak më vonë me një qese plastike, duke kthyer fytyrën nga ana tjetër kur kaloi një makinë policie.
Në orën 19:25, ai fillon të fërkojë fytyrën, merr një gllënjkë pije dhe bërtet ‘q*** mamin tënd’ dhe ‘gënjeshtarë’, ndërsa nxjerr një thikë dhe futet brenda.
Në skena tronditëse, burri, i veshur i tëri me të zeza dhe me kapuç, valëvit thikën ndërsa klientët vrapojnë drejt pjesës së pasme të dyqanit. Një prej tyre, i tmerruar, thuhet se u mbyll në kuzhinë dhe filloi të lutej.
Sipas stafit, ai kërkoi të dinte pse klientët po qeshnin me të dhe më pas tha:
‘Do t’ju lë të qetë për sot,’ përpara se të largohej me kërkesën e punonjësve.
Berberi Greene tregoi:
‘E pashë në pasqyrë që po afrohej me thikë në dorë, gati të hapte derën. Në atë moment mendova vetëm për të mbrojtur veten dhe klientin tim. Me dy hapa mund t’i kishte prerë qafën.
Të gjithë u tërhoqën prapa, dhe gjithçka u bë shumë e qetë, dëgjohej vetëm ai që fliste.
Ai përsëriste: ‘Po talleni me mua?’, ‘Do t’ju kap sot’, ‘Po më provokoni’. Fliste për 20-30 sekonda. Pastaj tha: ‘Do t’ju le për sot’, dhe unë mendova se i shpëtuam për mrekulli.’
Ai shtoi:
‘Duke e parë në sy, e kuptoje menjëherë që diçka nuk shkonte’.
Menaxhmenti i berberhanes konfirmoi se kur njoftuan policinë atë natë, nuk u dërgua asnjë patrullë, dhe iu kërkua vetëm të ngarkonin pamjet në portalin online.
Vetëm pak minuta më herët, policia kishte marrë njoftim për plagosjen e 14-vjeçarit në qendër të Peterborough. Djali u dërgua në spitalin e qytetit dhe u lajmërua se kishte lëndime të lehta, duke u liruar disa orë më pas.
Forcat e hetimit, përfshirë njësitë e qenve policorë, kërkuan autorin në zonë, por nuk arritën ta gjenin.