VIDEO/ Çollaku: Kriza në PS një vullkan, Rama ka kundër të gjithë ata me të cilët ka vjedhur

Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar përplasjet e fundit brenda Partisë Socialiste, mes kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe zv.kryeministres Belinda Balluku.

Sipas Çollakut, zhvillimet e fundit tregojnë se kriza brenda PS-së po thellohet dhe mund të sjellë pasoja të forta politike.

‘Dy elementë kemi përpara. Thellohet kriza brenda Partisë Socialiste, përplasja. Veliaj me këtë vendim, nëse i rikthehen atributet e drejtimit edhe nga qelia, fillon edhe një pastrim nga njerëzit e Ramës në bashki, që ai i hoqi njerëzit e tij. Por njëkohësisht mund të ketë edhe lëvizje nën rrogoz, sepse ai mesazhi, unë kam një, një USB tha ai zotëria atje te qelia,’ u shpreh Çollaku.

Gazetari la të kuptohet se mesazhet që dalin nga burgu mund të jenë një formë presioni ndaj kryeministrit Rama.

‘Mund të jetë edhe një mesazh, zotëri unë tani do e hedh këtë në treg. Mund të jetë edhe një përpjekje e fshehur për një amnisti, për një rikthim të atij në liri, arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje, sepse në këtë vullkan ku gjendet Rama, në këtë ciklon ku ai është përfshirë, të gjithë i ka kundër. Të gjithë ortakët e tij, të gjithë ata me të cilët ai ka plaçkitur tendera, pasuri dhe prona publike, sot i ka kundër. I ka lëshuar, po s’e lëshojnë ata. Rama i ka lëshuar, por s’e lëshojnë, e tërheqin ata.’

Duke folur për hetimet ndaj strukturave qeveritare, Çollaku kujtoi edhe presionet politike të ushtruara më herët ndaj drejtësisë.

 ‘Ata kanë qenë të qartë kur kanë bërë mesazhe kërcënuese ndaj prokurorëve, ndaj gjyqtarëve, e ka bërë kryeministri, i kanë bërë vetë këta, nga foltoret e kuvendit dhe të konferencave të shtypit. Tani janë të paqartë për shkakun sepse zhvillimet në adresë të strukturës së posaçme dhe hetimet e shumë dosjeve...’, tha ndër të tjera, gazetari Basir Çollaku në SYRI TV.