VIDEO/ Çollaku: Problemi i madh i Ramës është Balluku. Bandat janë acaruar dhe mund të shkohet deri tek armët

Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka diskutuar në lidhje me marrjen nën hetim të Belinda Ballukut dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë në detyrë Erion Veliajn.

Sipas Çollakut, situata në qeveri është në një pikë të nxehtë, ku ‘emergjenca kryesore e Edi Ramës është Belinda Balluku’. Ai theksoi se zhvillimet e fundit kanë sjellë tension të madh edhe brenda grupeve që kanë përfituar nga pushteti.

‘Emergjenca kryesore e Edi Ramës është Belinda Balluku. I kapur edhe në kërcënimet ndaj prokurorit, ka një element që e dimë të gjithë; Byroja Kombëtare e Hetimit ka një njësi që drejtohet nga një prej oficerëve të BKH-së ku përgjohen të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, edhe për kanosje dhe arsye të tjera, të përfshirjes në paligjshmëri e korrupsion.’

Sipas tij, këto përgjime janë shumë të ndjeshme dhe mund të përfshijnë figura të larta të pushtetit.

‘Këto biseda të secilit prej tyre duhet të jenë të përgjuara dhe i vihen në dispozicion drejtuesit të prokurorisë, dhe në rast se rezulton në përgjime emri i drejtuesit, i vihen në dispozicion një prokurori tjetër. Kjo do të thotë se ky material është i mjaftueshëm për të nisur një procedim penal për kryeministrin dhe ish-ministrin e Drejtësisë, për ushtrim ndikimi të paligjshëm, të paktën.’

Çollaku shtoi se brenda skenës kriminale dhe ekonomike që lidhet me pushtetin, ka nisur një prishje e thellë e interesave.

‘Ka një acarim të grupeve kriminale, të përkrahësve të ndryshëm, që kanë marrë shumë punë, por tani po prishet pazari, ekuilibri. Kush është garantuesi i këtyre miliardave, secili në pjesën e tyre të marrë. Çfarë ka kryeministri, zv/kryeministri, ministrat, të gjithë. Sepse përgjimet nga Whatsapp dhe telefonat Sky që janë në këtë histori, kanë sjellë lëndë të konsiderueshme për këtë ngjarje.’

Ai paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet në nivele të rrezikshme:

 ‘Janë identifikuar kodet, kanë materialet. Mos u çudisni, do kemi ngjarje të rënda, dhe unë uroj të mos shkohet tek arma. Grupet janë acaruar në këtë masë, sepse grupet janë prishur për miliarda euro dhe nuk është prishje për sufllaqe kjo. Ka arritur në majë.’

Në fund, gazetari bëri një lidhje më të gjerë të zhvillimeve edhe me hetimet ndërkombëtare.

‘Ka dhe episode nga Amerika të kësaj historie. Janë zbuluar dhe detaje të transfertave, parave, investimeve të këtyre individëve të përfshirë në këtë dosje të madhe dhe Rama nuk di nga të ikë, nga Sorosi, droga, Veliaj, Balluku të ikë nga Ahmetaj.’, tha ndër të tjera, Basir Çollaku në SYRI TV.