Nga Shqipëria në Padova/ Historia e një shqiptareje që sot kërkon të përfaqësojë qytetarët e Venetos
Nga Jerina Luka
Emigracioni shqiptar ka mijëra histori, shumë prej tyre janë të pabujshme, por të qëndrueshme. Të tjera janë histori suksesi që meritojnë të rrëfehen, sepse flasin për dinjitet, integritet dhe përfaqësim. Një prej tyre është historia e Nila Hila
Ajo është shqiptarja që ka studiuar dhe punon prej vitesh në Padova, ka ndërtuar jetën e saj atje duke krijuar miqësi dhe marrëdhënie besimi me komunitetin që e rrethon. Në qershor të vitit 2024, pranon ftesën për t’iu bashkuar ‘Forza Italia’ dhe zgjidhet anëtare e këshillit të një prej komunave të Bashkisë së Padova-s, duke mbajtur një rol aktiv në çështjet që lidhen me shëndetësinë.
Rrugëtimi i saj në politikë vijon, pasi në zgjedhjet rajonale të këtij nëntori, Nila Hila kandidon si anëtare e këshillit rajonal për të vijuar angazhimin e saj si zë i qytetarëve të Venetos. Mbështetja për të nuk lidhet vetëm me retorika identitare, por me logjikën e përfaqësimit kompetent. Është profesioniste e formuar në universitetin e qytetit ku kandidon, me përvojë konkrete në sistemin shëndetësor dhe me njohje të funksionimit të institucioneve vendore.
E lindur në Shkodër, në një familje qytetare, Nila u largua në moshë të re drejt Italisë. Atje vijoi shkollimin dhe u dallua për rezultate të larta. Gjatë gjimnazit, falë këtyre rezultateve fitoi mundësinë, përmes një burse, të kryente cikle shkollore në Londër, një përvojë që e orientoi drejt një horizonti më të gjerë personal dhe profesional.
Më vonë ajo u regjistrua në Universitetin e Padovës, në Fakultetin e Farmacisë. Ky universitet, është një referencë historike për formimin në mjekësi dhe shkencat shëndetësore. Nila u diplomua atje me rezultate të larta dhe, menjëherë pas përfundimit të studimeve, nisi punën në një prej farmacive historike të qytetit.
Sot ajo ndan kohën mes punës si farmaciste, ku njihet si një referencë e afërt për shumë familje e qytetarë dhe detyrimeve të saj politike, duke e parë këtë angazhim si një vazhdimësi të natyrshme të përgjegjësisë së saj publike.
Për komunitetin shqiptar që prej më shumë se tre dekadash studion, punon dhe kontribuon në Veneto, kjo kandidaturë përfaqëson një hap natyral të një kapitali qytetar që ka qenë real dhe i qëndrueshëm në kohë. Mbështetja për Nilën është mbështetje e kontributit të përbashkët në jetën e përditshme të rajonit.
Në thelb, ajo që përfaqëson është vijimësia e një pranie shqiptare në Padova dhe Veneto prej shumë vitesh, studentë, profesionistë, sipërmarrës, punonjës dhe familje kanë ndërtuar jetën atje. Mbështetja për Nila Hila është një mënyrë për të bërë të dukshme vlerën e kontributeve që shumë shqiptarë kanë dhënë që në fillim të viteve '90. Prandaj, le të jemi bashkë në mbështetjen e saj, sepse kur puna dhe përkushtimi marrin formë përfaqësimi, fiton i gjithë komuniteti.