Berisha: Partia Demokratike do të hapet drejt të rinjve dhe njerëzve me vlera, kjo është si ajri për ne
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së PD-së deklaroi se partia do të hapet drejt të rinjve dhe njerëzve me vlera.
Ai theksoi se hapja dhe ripërtëritja janë “si ajri” për Partinë Demokratike dhe thelbësore për motivimin e mbështetësve. Berisha u kërkoi drejtuesve dhe deputetëve të PD-së të angazhohen personalisht për të gjetur dhe afruar individë me integritet.
Sipas tij, PD duhet të afrojë idealistë që janë gati të përballen me sfidat edhe në opozitë. Ai kritikoi qasjen e qeverisë që, sipas tij, rekruton njerëz për interes politik e jo për vlera. Berisha nënvizoi se një ripërtëritje e fuqishme e PD-së do të përcaktojë të ardhmen e saj politike. Në përfundim, ai bëri thirrje për përqendrim tek të rinjtë dhe fuqizimin e partisë përmes protestave paqësore.
FJALA E BERISHËS:
Çështje tjetër themelore. Është çështja e hapjes së PD.
Tani nëse ne nuk hapemi, nuk faktojmë para anëtarëve dhe mbështetësve tanë vullnetin e hekurt për tu hapur, vullnetin e hekurt për një imazh të ri, vullnetin e hekurt për një ripërtëritje të fortë ne nuk mund të motivojmë njeri.
Jo, të ua themi këtu.
Prandaj ju zotërinj, secili nga ju, secili nga ata që bashkëpunon me ju, të bëjë ‘hand hunting’, të kërkojë të gjejë njerëz, vlera. Unë përpiqem, por sado këtë objektiv nuk e realizoj dot.
Ky objektiv realizohet kur secili nga ju, secili deputet, drejtues i PD, anëtar kryesie në rrethe, të ofrojë vlera.
Është jetike, janë jetike si ajri për ne.
Ne nuk jemi në pushtet, siç bën ai që rekruton njerëz me 100 flamuj dhe i paraqet si ripërtëritje. Jo ne duhet të afrojmë idealistë, njerëz me vlera që pranojnë dhe në opozitë që të përballen me këtë të keqe të madhe.
Por një gjë duhet ta dimë se, asgjë nuk do të përcaktojë më shumë fatin dhe të ardhmen tonë se sa një ripërtëritje e fuqishme e kësaj force politike, në mënyrë që me mjetet e kryengritjes paqësore, protestave të fuqishme, këtij shteti që shkërmoqet ti japim duart, ta çojmë atje ku e meriton.
Punë të përqendruar tek ripërtëritja, tek të rinjtë.
Faleminderit shumë.