Berisha: Edi Rama i bindur ndaj Sorosit po sjell ligjin që mohon burrin dhe gruan, për të shuar familjen shqiptare

Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj një projektligji të qeverisë Rama, të cilin e cilëson si “ligj që mohon burrin dhe gruan” dhe “rrezikon të shuajë familjen shqiptare”.

Berisha akuzoi Ramën se vepron nën ndikimin e Xhorxh Sorosit, të cilin ai e përshkruan si “armikun më të egër të forcave demokratike konservatore në botë”. Sipas tij, ligji i ri për barazinë gjinore përfaqëson një përpjekje për të relativizuar rolin tradicional të familjes dhe për të imponuar “ideologjitë e majta ekstreme” në shoqërinë shqiptare.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Por, nga ana tjetër, e thashë dhe në fillim, një goditje të rëndë ka marrë në SHBA Xhorxh Soros, armiku më i egër i forcave demokratike konservatore në botë. Mbështetësi kryesor i ekstremit të majtë. Në vendin e tij është akuzuar për veprimtari kriminale masive, por në Shqipëri qeveria, gjysma e kabinetit është me bashkëpunëtorë të Sorosit. Kjo është e vërteta, janë hajdutë. Ligji që vjen në parlament është ligji i poshtërimit të familjes shqiptare. Ligji që do të mohojë gjinitë njerëzore, burrë dhe grua, mashkull dhe femër. Ligji në të cilën e majta ekstremiste post-marksiste amerikane u angazhua në mënyrën më të papërmbajtur. Këtu, Marksi nuk ka shkuar gjer aty. Këtu, Marksi që është doktrinari i terrorizmit mbi tokë, nuk ka shkuar tek gjinia. Nuk ka ai përpjekje për të ndryshuar me gjininë. Kurse, Soros me të vetët përpjekje titanike për të krijuar gjininë e tretë, apo të katërt. Dhe tani, ligji në parlament, gjoja i barazisë gjinore, faktikisht ligji i shuarjes. Gjinia, thotë Edi Rama, nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivietet dhe kontributet që një shoqëri e caktuar e konsideron për gratë dhe burrat. E kuptoni? E hoqi dhuntinë e Zotit. E hoqi përcaktimin natyror, por tani e sjell dhe e vërtit çfarë u duket e përshtatshme. Nuk ka. Kjo përpjekje për të shuar konceptin e familjes shqiptare dhe familjes në botë siç është, prindi, baba, nëna, fëmija, do të thotë se vendin e Marksit të dikurshëm në Shqipëri e ka Xhorxh Sorosi. Dhe unë ju them ju, ne nuk duhet ta nënvleftësojmë sepse Xhorxh Sorosi ka mbështetës të fuqishëm shqiptarë dhe jo shqiptarë, që ditën dhe natën punojnë kundër opozitës shqiptare. E shpallin opozitën shqiptare joperëndimore vetëm pse mbron këto vlera të shenjta të familjes, të atdheut dhe të kombit.