SYRI TV/ Grupi i PS që mbrojti rektorin e UBT, lëshon Ballukun

Në një kohë kur Grupi Parlamentar i PS-së ka marrë në mbrojtje rektorin e Universitetit Bujqësor dhe deputeten Klotilda Bushka në përballjen e tyre me SPAK-un, sot kreu i grupit, Taulant Balla, u shpreh se për çështjen e Belinda Ballukut nuk do të ketë asnjë koment nga Grupi Parlamentar i PS-së. Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Taulant Balla u shpreh se po presin të gjejnë dakordësinë me opozitën. Nga ana tjetër, lidhur me propozimet e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për ngritjen e Senatit, Balla u shpreh se të gjitha propozimet duhet të dërgohen në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
 

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, më 27 shkurt 2025, mori në mbrojtje rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, pas hetimit të nisur nga SPAK-u, ndërkohë që më 12 shkurt kishte dëgjuar në mbledhjen e Grupit Parlamentar edhe deputeten Klotilda Bushka, e cila është në hetim për dosjen Veliaj–Xoxa.

Duke pasur parasysh këtë standard, sot gazetarja e Syri TV, Ambrozia Meta, e pyeti kreun e Grupit të PS-së, Taulant Balla, nëse grupi do ta thërrasë për dëgjesë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK-u për aferën e tunelit të Llogarasë.
Por Balla zgjodhi të jepte të njëjtën përgjigje që kishte dhënë edhe shefi i tij në një intervistë për median gjermane DW pak ditë më parë.

Kemi qenë shumë e qartë që kurrë nuk do të bëjmë komente mbi meritat apo çështjet që trajtojnë institucionet e drejtësisë. Sa i përket pyetjes tuaj dhe ndërhyrjes nga kolegu, zyrtarisht Partia Socialiste e Shqipërisë nuk bën komente për asnjë çështje të veçantë.

Ora 12:00 e natës së të hënës, 3 nentor, është afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për Avokatin e Popullit, ndërsa Balla kërkoi nga opozita që zgjedhja të bëhet me konsensus.

Propozimi im në emër të grupit parlamentar të shumicës është që ajo që nuk ka ndodhur këto 3 vite të ndodhë tani: qoftë në komision, qoftë në Konferencën e Kryetarëve apo në një tryezë tjetër, si ta mendojë opozita, të ulemi dhe të zgjedhim Avokatin e ri të Popullit. Kandidatura për Avokat të Popullit duhet të përmbushë kriteret që përmenda dhe t’i japë këtij institucioni kredibilitetin institucional që i takon.

 

Lidhur me propozimin e kreut të Partisë Demokratike për ngritjen e një Senati, Balla u shpreh se këto propozime duhet të dërgohen të gjitha në Komisionin për Reformën Zgjedhore.

Ndërkohë, i pyetur lidhur me buxhetin 2026, Balla theksoi se pritet që ta përmbyllin brenda 15 ditëve të para të dhjetorit, për t’u lënë mundësinë edhe bashkive që të miratojnë pjesën e tyre.