Populisti çek Babiš, shënjestron rregullat e ‘Marrëveshjes së Gjelbër’ të BE-së
Andrej Babiš, populisti i krahut të djathtë i cili të hënën formoi qeverinë e ardhshme të Çekisë, dëshiron të prishë planet e BE-së për frenimin e emetimeve, sipas programit të koalicionit të qeverisë, të parë nga “ Bruksel Playbook” i POLITICO-s.
Babiš dhe lëvizja e tij ANO formuan një koalicion me partinë e krahut të djathtë “Shoferët për Veten” dhe partinë nacionaliste “Liri dhe Demokraci e Drejtpërdrejtë”. Babiš pritet të rikthehet në tryezën e Këshillit Evropian në takimin e ardhshëm të liderëve të BE-së në Bruksel më 18-19 dhjetor.
Kritikët kanë frikë se Çekia mund të bëhet një “bête noire” i ri për BE-në, së bashku me Hungarinë e Viktor Orbán-it dhe Sllovakinë e Robert Fico-s.
“Unë besoj se nëse i shohim deklaratat e tij dhe aleatët e tij në Evropë — si Viktor Orbán dhe atë që ka bërë me Hungarinë — ai [Babiš] do të fillojë ta shtyjë Republikën Çeke drejt margjinave”, tha Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavský për POLITICO.
Ndërsa Babiš ende duhet të emërohet zyrtarisht si kryeministër nga presidenti çek, ai tashmë ka plane të mëdha për rikthimin e tij në BE: zbërthimin e politikave të gjelbra të bllokut.
“Marrëveshja e Gjelbër është e paqëndrueshme në formën e saj aktuale, prandaj ne do të promovojmë rishikimin e saj themelor”, thuhet në draftin e programit të koalicionit.
Qeveria e re planifikon të kundërshtojë zbatimin e një tregu të ri që do të vendoste një çmim për emetimet e ngrohjes dhe karburantit (i quajtur ETS2). Sistemi i ri i tregtimit të emetimeve është një gur themeli i përpjekjeve të BE-së për të ulur emetimet që shkaktojnë ngrohjen e planetit nga sektorët e ndërtimit dhe transportit dhe për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.
Plani çek pohon gjithashtu se qeveria “do të iniciojë një rivlerësim në nivel evropian” të skemës origjinale të tregtimit të emetimeve, ETS1, e cila mbulon ndotjen nga industritë e rënda dhe sektori i energjisë.
Qeveritë e BE-së kanë votuar tashmë në favor të ETS2 dhe ai pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027. Megjithatë, drafti i programit të qeverisë çeke përfshin një kërcënim për të mos i miratuar rregullat: "Në rastin e lejeve të emetimeve të ETS2 për familjet dhe transportin, ne jemi të përgatitur të mos e zbatojmë këtë sistem në legjislacionin çek dhe të parandalojmë ndikime shumë negative sociale në shoqëri."
Drafti zbulon gjithashtu se një qeveri e ardhshme e Babiš e sheh një ndalim të BE-së për shitjen dhe prodhimin e makinave me motorë me djegie të brendshme nga viti 2035, si “të papranueshëm”.
“Bashkimi Evropian ka kufijtë e tij — nuk ka të drejtë t’u imponojë shteteve anëtare vendime që ndërhyjnë në sovranitetin e tyre të brendshëm”, thuhet në draft. Ndalimi u miratua në vitin 2023 nga të gjitha vendet anëtare (pavarësisht rezistencës së minutës së fundit nga Gjermania), por ka rezultuar i diskutueshëm.
Babiš nuk është i vetmi që dëshiron të sfidojë rregullat e Paktit të Gjelbër të BE-së. Qeveria e mëparshme çeke kërkoi gjithashtu një shtyrje në zbatimin e ETS2, dhe Estonia kërkoi që ai të hiqet.
Babiš mund të gjejë një aleat te kryeministri polak Donald Tusk, i cili trumpetoi suksesin e tij në futjen e një “klauzole rishikimi” në planet e BE-së për të zgjeruar një sistem tregtimi të karbonit në një takim të liderëve muajin e kaluar.
Ndërsa klauzola e rishikimit e kërkuar nga udhëheqësit e BE-së nuk kërkon në mënyrë të qartë një ETS2 më të dobët, Tusk beson se kjo do të hapë derën për një shtyrje të masës.
Babiš synon të mbikëqyrë personalisht politikën e BE-së — duke hequr rolin e ministrit për çështjet evropiane dhe duke ia vendosur përgjegjësinë për çështjet e BE-së një departamenti “në varësi” të kryeministrit.
Partitë në koalicion pritet të miratojnë programin qeveritar. Më pas vjen një periudhë debatesh, ndërsa Babiš pritet të përpiqet të emërojë Filip Turek, presidentin nderi kontrovers të partisë së Motoristëve, si ministër të jashtëm - një veprim që Presidenti Petr Pavel mund ta kundërshtojë, sipas një diplomati të BE-së.
Media çeke Deník N raportoi muajin e kaluar se Turek — një ish-anëtar i Parlamentit Europian dhe pilot garash — kishte bërë komente raciste, seksiste dhe homofobike në Facebook përpara se të hynte në politikë. Turek mohoi të ishte pas këtyre postimeve në një video të postuar në Facebook./ Politico.