OKB: Pabarazia ushqen ciklin e pandemive
Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se pabarazia e lartë po e bën botën më të prekshme ndaj pandemive dhe po krijon një "cikël të rrezikshëm" që dëmton shëndetin publik dhe ekonomitë.
Raporti, i publikuar nga Këshilli Global për Pabarazinë, AIDS-in dhe Pandemitë, i udhëhequr nga fituesi i Nobelit Joseph Stiglitz, ish-zonja e parë e Namibisë Monica Geingos dhe epidemiologu Sër Michael Marmot, u bazua në kërkime dyvjeçare dhe u prezantua para takimit të G20 këtë muaj në Afrikën e Jugut.
Sipas raportit, pabarazitë brenda dhe midis vendeve e bëjnë botën më të ekspozuar ndaj pandemive, i zgjatin ato dhe i bëjnë më vdekjeprurëse. Nga ana tjetër, pandemitë vetë e thellojnë pabarazinë, duke krijuar një cikël që vetëforcohet. Shembuj të këtij cikli janë COVID-19, AIDS, Ebola, gripi dhe mpox.
COVID-19, thuhet në raport, shtyu në varfëri 165 milionë njerëz, ndërsa pasuria e më të pasurve të botës u rrit me mbi 25 për qind. "Pabarazia është një zgjedhje politike dhe e rrezikshme që kërcënon shëndetin e të gjithëve," tha Geingos.
Raporti u bën thirrje udhëheqësve botërorë të investojnë në mekanizma të mbrojtjes sociale dhe të zvogëlojnë pabarazitë globale përmes ristrukturimit të borxheve të vendeve në zhvillim. Stiglitz theksoi se pandemitë janë edhe kriza ekonomike: "Kur ekonomitë stabilizohen përmes borxheve me interesa të larta ose masave shtrënguese, dëmtohen sistemet e shëndetit, arsimit dhe mbrojtjes sociale."
Për ta thyer këtë cikël, të gjitha vendet duhet të kenë hapësirë fiskale për të investuar në sigurinë shëndetësore dhe në qasje të barabartë ndaj trajtimeve e teknologjive mjekësore. Raporti kërkon gjithashtu financim më të madh për prodhim lokal dhe heqjen e menjëhershme të të drejtave të pronësisë intelektuale sapo të shpallet një pandemi. / Medicalxpress - Syri.net