Kasapi i TikTok-ut nga Sudani i poston masakrat me një buzëqeshje në fytyrë

Nga Karen von Gutternberg, BILD

Janë të paktën dhjetë persona të ulur në rërë. Një burrë me flokë kaçurrela deri në supe qëndron përpara tyre, me armën në duar. Pranë tij qëndrojnë të tjerë persona të armatosur; disa prej personave të ulur ngrenë duart lart në shenjë mbrojtjeje. Nuk u shërben për asgjë. Burri me kaçurrela i vendos në objektiv dhe qëllon me shpejtësi, njëri pas tjetrit. Shokët e tij vrasës e ndihmojnë — gjaku dhe copa e mishit shpërthejnë e bien mbi të tjerët.

Është vetëm një nga pafundësisht shumë skena horror që po ndodhin çdo ditë aktualisht në Sudan. Sidomos anëtarët e fiseve jo-arabe dhe pjesëtarët e popullsive të zeza afrikane, po bëhen me mijëra viktima të milicisë vrasëse RSF (Forcat e Shpejta të Mbështetjes), e cila është përfshirë në një luftë të ashpër kundër qeverisë aktuale të përkohshme.

Veçanërisht e neveritshme: Milicët bëjnë pa asnjë ndalesë video të mizorive të tyre dhe i publikojnë me krenari në TikTok. Burri me kaçurrelat e quan veten Abu Lulu, por emri i tij i vërtetë është gjeneral brigade Al-Fateh Abdullah Idris. Ai mburret në veçanti se është një “kasap”, duke pohuar vetë se personalisht është përgjegjës për therjen e më shumë se 2000 njerëzve.

Ekzekutimet nga videoja thuhet se kanë ndodhur në qytetin Al-Faschir, në jugperëndim të vendit. Pas një rrethimi 18-mujor, milicia RSF ka pushtuar qytetin dhe vetëm në një maternitet ka therur të paktën 460 civilë — nëna, foshnja, familjarë. Ka raportime për ekzekutime masive, masakra, përdhunime, sulme ndaj punonjësve humanitarë, plaçkitje, rrëmbime dhe dëbime të detyruara, tha zëdhënësi i OKB-së, Seif Magango. Atij dhe zyrës së tij u janë dërguar video dhe imazhe tronditëse. Edhe në rrjetet sociale, sidomos në TikTok, qarkullojnë pa fund pamje të tilla.

Ekzekutime, kufoma, gjak kudo. Ky i fundit madje është i dukshëm edhe në imazhet satelitore. Duken qartë pellgje të mëdha dhe silueta njerëzore. Studiues të “Humanitarian Research Lab” (HRL) kanë publikuar pamje ku shihet rëra e njollosur me ngjyrë të kuqërremtë. Gjithçka tregon për ekzekutime masive dhe masakra.

Që nga rënia e Al-Fasherit, qyteti është shkëputur plotësisht nga çdo komunikim. Megjithatë, disa të mbijetuar që arritën në qytetin e afërt Tawila i thanë agjencisë AFP se kishin parë masakra, fëmijë të vrarë para syve të prindërve, dhe civilë të rrahur e grabitur gjatë përpjekjeve për t’u arratisur.

Pasi luftimet shpërthyen në prill të vitit 2023 në Khartum, ato u përhapën me shpejtësi. Vlerësohet se deri tani janë vrarë të paktën 150.000 njerëz, mes tyre shumë civilë.

Përditësim: Pas shpërthimit të zemërimit ndërkombëtar që shkaktuan videot e tmerrshme të Abu Lulu-s, RSF e ka “larguar nga qarkullimi”. Një video e tregon atë me pranga në duar, teksa dërgohet në një lloj qelie. Por nuk dihet nëse kjo është e vërtetë apo thjesht një shfaqje për publikun.