Rrëqebulli i rrallë i bardhë iberik fotografohet në Spanjë nga një amator

Një fotograf amator në Spanjën jugore ka kapur imazhe të papara të një rrëqebulli të bardhë iberik, duke i shtyrë studiuesit të hetojnë nëse faktorët mjedisorë mund të luajnë rol, ndërsa vëzhguesit e jetës së egër u kënaqën me këtë pamje të rrallë.

Ángel Hidalgo publikoi imazhet në mediat sociale, duke e përshkruar kafshën e veçantë si "fantazmën e bardhë të pyllit mesdhetar".

Në një postim, Hidalgo shpjegoi se e kishte parë kafshën për herë të parë në një kamera kurth që kishte ngritur në një zonë të pyllëzuar pranë qytetit të Jaén. Pamjet zgjatën vetëm disa sekonda, por ishin të mjaftueshme për të dalluar një rrëqebull që dukej se kishte qime të bardha dhe njolla të errëta, në vend të ngjyrës kafe dhe të zezë që zakonisht shoqërohet me këtë specie.

«Që nga ajo kohë, fillova t’ia kushtoja gjithë kohën time të lirë kësaj», shkroi Hidalgo. «Koha kalonte; orë, ditë, javë dhe madje muaj pa sukses. Shumë herë isha në prag të dorëzimit.»

Momenti i tij me fat erdhi ndërsa dielli lindte pas një nate me shi. “Kur pashë një ‘rrëqebull të bardhë iberik’ për herë të parë, me qimet e tij të bardha si bora dhe sytë depërtues, u mahnita. Nuk mund ta besoja atë që po shihja”, tha ai.

Imazhet e tij kanë bërë bujë në të gjithë Spanjën dhe më gjerë. Mediat e përshkruan këtë si hera e parë që një rrëqebull i bardhë kapet në kamera.

Megjithatë, ata që punojnë për të mbrojtur speciet thanë se kafsha ishte e njohur për studiuesit.

Javier Salcedo, koordinatori i projektit LIFE Lynx-Connect të financuar nga BE-ja, e përshkroi atë si një femër me emrin Satureja dhe tha se ajo kishte lindur në vitin 2021.

Rrëqebulli kishte ngjyrë normale në lindje, por pigmentimi i saj kishte ndryshuar në një moment. Ndryshimi në ngjyrë me sa duket nuk e kishte ndikuar në sjelljen e saj, tha Salcedo, pasi ajo vazhdoi të ushqehej normalisht dhe kishte rritur me sukses disa pjellë.

«Nuk është as albinizëm dhe as leucizëm», i tha ai gazetës El País. Leucizmi i referohet një humbjeje të pjesshme të pigmentimit tek kafshët.

«Po hetojmë se çfarë mund të ketë ndodhur», shtoi Salcedo. «Mendojmë se mund të lidhet me ekspozimin ndaj diçkaje mjedisore».

Ai tha se ishte hera e dytë që studiuesit kishin hasur një rrëqebull me këtë karakteristikë; në një moment shkencëtarët kishin ndjekur një femër nga e njëjta zonë, ndoshta një të afërme të Satureja-s, duke parë ngjyrën e saj të transformohej në të bardhë dhe, më vonë, përsëri në kafe.

«Kjo mund të nënkuptojë ekzistencën e një lloj mbindjeshmërie», tha Salcedo. «Ne e zbuluam këtë rast sepse kryejmë monitorim të plotë të rrëqebullit, por kjo mund të ndodhë edhe te specie të tjera pa e vënë re ne».

Qeveria rajonale në Andaluzi i tha transmetuesit TVE se hapi tjetër do të ishte kapja e shkurtër e Satureja-s dhe marrja e mostrave me shpresën për të kuptuar pse kishte ndryshuar ngjyra e saj.

Prania në rritje e rrëqebullit iberik në Spanjë dhe Portugali, është cilësuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës si një "histori e madhe suksesi".

Më pak se një çerek shekulli pasi kafsha dyshohej se ishte në prag të zhdukjes, popullatat janë rikuperuar deri në një pikë sa rrëqebulli iberik u zhvendos vitin e kaluar nga "i rrezikuar" në "i prekshëm" në listën e kuqe globale të specieve të kërcënuara ./ The Guardian.